Qeveria e Kosovës: Ushtria serbe po lëviz në 3 drejtime në kufi, thirrje të tërhiqen

1 year ago 42
20:08 30/09/2023

Qeveria e Kosovës thotë se po ndjek me prioritet lëvizjet e ushtrisë së Serbisë pranë kufirit të shtetit kosovar.

Në një deklaratë zyrtare, Qeveria e Kosovës bën të ditur se ushtria serbe po lëviz në 3 drejtime të ndryshme pranë kufirit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me vëmendje dhe vigjilencë është duke ndjekur zhvillimet e fundit sa i përket lëvizjes së njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës.

Lëvizjet e ushtrisë serbe janë bërë nga tre drejtime të ndryshme; njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës.

Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë.

Shumë herë kemi ngritur shqetësimin për ekzistencën e këtyre 48 bazave të përparme të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe dhe kemi theksuar faktin, tashmë të vërtetuar që këto baza shërbejnë për mbështetje të agresionit të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”.

Prishtina zyrtare bën të ditur se për këto lëvizje të ushtrisë serbe po mban kontakte të vazhdueshme me SHBA-në dhe BE-në.

Po kështu, Kosova i bën thirrje Serbisë që të tërheqë të gjitha trupat ushtarake pranë kufirit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me ShBA-të dhe vendet e BE-së në lidhje me këtë kërcënim serioz nga Serbia dhe reagimi i ShBA-ve ndaj kësaj qasje agresive të Serbisë ka qenë i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë. I bëjmë thirrje Presidentit Vuçiç dhe institucioneve të Serbisë që menjëherë të tërheqin të gjitha trupat ushtarake nga vija kufitare me Kosovën dhe të mbyllin dhe demilitarizojnë 28 bazat e përparme ushtarake dhe 20 bazat e xhandarmërisë që për vendin tonë paraqesin kërcënim të përhershëm. Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiç, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën është hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe gjithashtu prezencën ushtarake ndërkombëtare në Republikën e Kosovës. Institucionet e Republikës së Kosovës në bashkërendim me partnerët ndërkombëtar janë më të vendosura se kurrë që me çdo kusht të mbrojnë tërësinë territoriale, të ruajnë sovranitetin, rendin kushtetues, rendin publik dhe jetën e qytetarëve të vendit tonë”.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article