Qeveria miraton pr/ligjin për amnistinë e të dënuarve, drafti i kalon Parlamentit për votim

10 months ago 8
17:34 06/12/2023

Këshilli i Ministrave ka miratuar në mbledhjen e sotme draftin e Ministrisë së Drejtësisë për amnistinë e të dënuarve, nga e cila përfitojnë 600 të burgosur me vendim të formës së prerë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha pas mbledhjes së qeverisë se pr/ligji tashmë i ka kaluar Parlamentit për t’u votuar nga deputetët.

“Dua të falenderoj të gjithë kolegët e mi në qeveri që votuan për amnistinë dhe nga ky moment ky projektligj do të depozitohet në Kuvendin e Shqipërisë dhe fjalën e kanë deputetët të cilët do të duhet të japin votën e tyre, shumica e cilësuar për kalimin e projektligjit për dhënie amnistie.

Siç jeni në dijeni, qëllimi i këtij projektligji është përjashtimi tërësisht apo pjesërisht nga dënimi i personave që përfitojnë sipas kritereve të këtij ligji. Parimet e amnistisë dihen, parimi i humanizmit, parimi i rehabilitimit të personave të dënuar, mbrojtja e interesit publik por pse jo edhe mbrojtja e interesit më të lartë të të miturve, të cilët me këtë kategori janë përfituesit më të mëdhenj së bashku edhe me gratë e dënuara.

Efektet e këtij projektligji shtrihen për të gjithë personat të cilëve ju ka marrë vendimi formën e prerë deri në datën 30.11.2023. Nga kjo amnisti, nëse do të marrë votën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë përfitojnë rreth 600 persona të dënuar të cilët do të kenë mundësinë që t’i kalojnë festat e fundvitit pranë familjarëve të tyre. E theksoj, tashmë projektligji për dhënien amnistie është në Kuvendin e Shqipërisë. Do të ndjekë procedurën parlamentare sepse është një projektligj që votohet me shumicë të cilësuar dhe pastaj lidhur me hyrjen në fuqi pasi të marrë votën e deputetëve, ne do të komunikojmë, sipas rregullores së Kuvendit, me Presidentin e Republikës që të ketë një dhënie pëlqimi paraprak për hyrjen në fuqi të këtij ligji”, u shpreh ministri Ulsi Manja.

/tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article