Rama: “21 Janari” krim shtetëror që nuk do të mbesë pa u ndëshkuar, “Strasburgu” rrëzoi procesin farsë

11 months ago 8
16:32 15/11/2023

Kryeministri Edi Rama në asamblenë e zgjeruar të Partisë Socialiste në Peshkopi u ndal për të folur edhe në lidhje me vendimin e Gjykatës së Strasburgut për “21 Janarin”.

Sipas kreut të qeverisë, ai vendim rrëzoi procesin farsë që është zhvilluar për këtë çështje. Rama theksoi se “21 Janari” është krim shtetëror dhe nuk do të mbesë pa u ndëshkuar.


“Arsyet e vërteta pse shqiptarët po ballafaqohen sërish për kushedi se sa të satën herë me skena dhe me akte të cilat asnjë familje, asnjë prind, as ata vetë që i vënë në jetë këto akte nuk ia lejon fëmijëve të vet. S’ka prind në këtë vend që t’i thotë fëmijës futu nga penxherja dhe pastaj baballarët të hynë nga penxheret. Diçka shumë e fortë i shtyn në këto akrobacira qesharake që mund të shkojnë në shfaqje edhe të Portokallisë, por jo në zyrat e tempullit të demokracisë së një vendi që është parlamenti. Kjo lidhet sigurisht me drejtësinë. Ju e patë besoj dje, e ndoqët, e dëgjuat, që Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg që është gjykata supreme europiane, gjykata më e lartë e të gjitha vendeve europiane, çdo çështje e një vendi të veçantë që mund të gjykohet në të gjitha shkallët këtu në këtë vend ka edhe një shkallë tjetër kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut që është ajo dhe vendimet e asaj gjykate janë udhërrëfyes për Europën, për shtetin e së drejtës në Europë dhe janë detyruese për çdo vend europian.

Gjykata e të Drejtave të Njeriut dje nxorri vendimin duke praktikisht rrëzuar të gjithë procesin farsë që është zhvilluar në Shqipëri për 21 Janarin dhe duke nënvizuar atë që është më elementarja në trajtimin e asaj ngjarjeje dhe që duhej të ishte trajtuar pa diskutim ashtu siç e nënvizon sot Gjykata e të Drejtave të Njeriut nga çdo vend demokratik europian ku drejtësia është e pavarur dhe ku pushteti ekzekutiv, qeveria, shumica që qeveris nuk ia mban dorën drejtësisë, do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit. Aty nuk është fjala për cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau dhe cili nuk vrau. Aty janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesish që nuk paraqisnin asnjë rrezik për askënd. Dhe prandaj çështja është si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarë të këtij shteti? Dhe si ka mundësi që pasi u vranë qytetarët e këtij shteti me pushkët e shtetit si pasojë e hapjes së një zjarri të komanduar nga maja e zinxhirit ky vend nuk pa asnjë lloj drejtësie të drejtë, por pa vetëm një rivrasje të dytë, një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre.

Ku vendim i Gykatës së të Drejtave të Njeriut është mishërimi më konkret, më i freskët i shprehjes drejtësia mund të vonojë, por drejtësia nuk vonon. E kam thënë shumë vite më parë 21 Janari është një nga ato krime për të cilat mund të ndodhë që vonesa e drejtësisë të jetë më e gjatë se sa drejtësia më e vonuar, por është njëkohësisht një nga ato krime që kurrën e kurrës nuk mbeten pa u ndëshkuar, në cilin do moment, sado vonë. Nuk është e mundur, sepse është një krim shtetëror. Është një krim me urdhër të drejtpërdrejtë qeverie, të drejtpërdrejtë dhe të paligjshëm. Ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të re që sapo është hapur për drejtësinë në Shqipërinë. Në një rrugë të re ku për herë të parë qysh nga themelimi i shtetit shqiptar në 1912 populli shqiptar po shikon si një qytetar i zakonshëm, si një njeri i veshur me pushtet, sado lart në shkallët e pushtetit, mund të jenë të barabartë”, u shpreh Rama. /tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article