Rama: Komisionet hetimore të opozitës, ndesh me Kushtetutën

11 months ago 20
19:37 15/11/2023

“Drejtësia e pavarur falë vullnetit të kësaj mazhorance”

Pas heshtjes disa javore, Edi Rama zgjodhi asamblenë e PS-së në Dibër për t’i kthyer përgjigje kërkesave të opozitës për komisionet hetimore parlamentare, por kjo përgjigje është negative. Për të 8 kërkesat e demokratëve ai thotë se janë në shkelje të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese ka vendosur një kornizë shumë të qartë çfarë bëhet me këtë të drejtë dhe çfarë nuk mund të bëhet me këtë të drejtë. Ato që nuk mund të bëhen me këtë të drejtë jo nëpër penxhere, por sikur të arrijnë deri në tarracë nuk ka shans që t’i bëjnë me miratimin tonë. Kjo nuk ndodh”, tha ai.

Por Rama flet me siguri se arsyeja e deklaruar e protestës së opozitës në parlament nuk është arsyeja e vërtetë.

“Nuk dihet më ku e kanë kokën, dihet vetëm ku e kanë mendjen. Mendjen e kanë te 7 penxheret. Është një shfaqje që nëse do të vihej në skenën e teatrit të Peshkopisë do ta kishte titullin “kërcejnë priftërinjtë nga belaja” dhe kjo është një lloj belaje që kush e ka, e ka kërkuar vetë dhe këtu kam parasysh të gjithë ata të cilët kanë pasur, kanë apo do të kenë punë me organet e reja të drejtësisë”, u shpreh Rama.

Për drejtësinë, Rama foli dhe kur komentoi vendimin e Gjykatës së Strasburgut që kërkon rihetim për vrasjen e një prej 4 viktimave të 21 Janarit, Aleks Nikës. Për Ramën kjo është një fitore që ai e kishte paralajmëruar, se drejtësia vonon, por nuk harron.

“Do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit dhe prandaj çështja është si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarë”, tha Rama.

Por ky vendim i Strasburgut për Ramën është një kulm dhe për rrugën e drejtësisë së re në Shqipëri, që jo pa mburrje përsëriti dhe në Dibër se ka nisur të japë fryte vetëm falë vullnetit të tij dhe shumicës socialiste për të mos i kapur duart njerëzve të drejtësisë, siç bënin paraardhësit.

“Prokurorët dhe gjykatës sot, të dëshiruar për të bërë drejtësi ka pasur në të gjitha kohërat nëse nuk kanë mundur ta bëjnë sepse nuk e bënë dot. Po qe se kush ka pushtetin të kap dorën do të thotë mos lëviz”.

Foli serish për suksesin e turizmit gjatë këtij viti, që ka ndihmuar dhe në një rritje të qëndrueshme ekonomike të vendit.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article