Rama: Kosova rrezikon të humbasë shansin historik të planit franko-gjerman, asocacionit i duhet dhënë drejtim

1 year ago 46
11:41 12/10/2023

Nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama ka folur këtë të Enjte për sulmin e 24 Shtatorit në veri të Kosovës si dhe gjithë situatën pasuese.

Ai thekson se “Kosova po humbet shansin historik të marrëveshjes bazuar në planin franko-gjerman”, si e vetmja mënyrë sipas tij për të bërë progres. E nga ana tjetër, kryeministri shprehet se Kosova rrezikon të humbasë besimin e respektin e aleatëve të saj më të ngushtë.

“Furia mori më kot përpjetë kur përsërita qëndrimin tim të njohur mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i, fokusimi te suksesi dhe jo te dështimi i planit franko gjerman dhe dhënies drejtim të asocacionit të komunave serbe se është një nyje që nuk duhet mbajtur si litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe e largon objektivin për t’u bërë pjesë e OKB-së, NATO-s apo BE-së. Ajo nyje duhet këputur, ai litar duhet këputur një orë e më parë, nuk duhet shkencë këtu, vetëm logjikë e ftohtë elementare për të kuptuar se ai asocacion duke mos u bërë është kthyer në një litar.Të mos e shohësh dhe kuptosh këtë do të thotë të mos duash t’ja dish fare për si duhet hedhur hapi tjetër, Kosova po rrezikon ta humbasë shansin historik për të bërë një progres më kuptimplotin në luftën diplomatike me Serbinë, dhe humbjen e besimit e respektin e atyre që e njohjen si shtet dhe janë të angazhuiar ta çojnë drejt njohjes përfundimtare si shtet demokratik. Duke u bërë fakt i kryer pikërisht ai asocacion që mistifikohet përditë si të ishte Kali i Rilindur i Trojës që aleatët strategjikë duan ta fusin me hile në Prishtinë, do kthehet menjëherë në një litar në këmbët e Beogradit. Nëse asocacioni bëhet si duhet në bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë, Serbia s’do lëvizë dot aq lirshëm sa ka lëvizur tërë këto kohë mes Brukselit dhe Uashingtonit duke shfrytëzuar qasjen e gabuar të Prishtinës në procesin e dialogut dhe duke e nënvizuar në çdo rast si viktimë refuzimin komplet të paarsyeshëm të një asocacioni komunash i cili i kyçur brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës do të ishte i zhveshur nga çdo potencial kërcënimi për destabilizim të shtetit të Kosovës. Këtë e kupton edhe bufi!”

Më tej, Rama ndalet dhe te një bisedë e tij me Presidentin Bill Clinton gjatë vizitës së tij në Tiranë, pikërisht për tensionet mes Kosovës e Serbisë.

“Kur presidenti Clinton erdhi në Tiranë, më tha “thuaju miqve të mi në Prishtinë të mos e humbasin shansin e madh të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman. Tregoju nga ana ime se si e humbi Yasser Arafati mundësinë e artë të paqes kur e kishte mbi tavolinës e zyrës, ne po flasim për marrëveshjen më të mirë që është shkruar ndonjëherë për zgjidhjen e atij konflikti, pak javë para se unë të dilja nga Shtëpia e Bardhë. Izraelitët thanë po, edhe Arafati tha po, unë tha Presidenti porosita të bëheshin gati urdhëresat për ceremoninë e shumëpritur nga e gjithë bota me dekada. Të nesërmen Arafati merr në telefon dhe thotë ju keni bërë atë që është më e mira për Palestinën dhe marrëveshja është më e mira e mundshme, por unë nuk e firmos dot. I thashë tha presidenti Cliton: A e kupton se çfarë po bën dhe se shansi që kjo mundësi e artë të të vijë sërish është thuajse 0? Përgjigjia e tij: E di, por nuk e firmos dot! Dhe ja tha Clinton, kanë kaluar 23 vjet nga ai moment historik dhe Palestina është më larg se kurrë ndaj marrëveshjes që lideri i saj nuk e firmosi.  Kosova shtoi, kryeçlirimtari i saj në vitin 1999 jo vetëm s’duhet t’i zhgënjejë miqtë e saj të ditëve më të vështira, por duhet të punojë njësh me ta për të bërë paqen dhe të finalizosh paqen kërkon më shumë kurajon se sa të nisësh luftën, përfundoi ai. Tani se si shkuan keq e më keq punët e Palestinës edhe nga mungesa e kurajos të udhëheqësit të saj për të finalizuar paqen dhe se si aleatët e humbën durimin, këtë s’besoj është nevoja ta shtjelloj sot aq më tepër në sfondin e konfliktit që po trondit botën prej disa ditësh.”

“Këto ditë është përshkallëzimi më i tmerrshëm i një tragjedie njerëzore të prodhuar nga frika e lidershipit politik nga politika për të bërë paqe me armikun historik, ky është thelbi. Atyre shqiptarëve që në emër të besimit te Allahu u vërsulën me një urrejtje të pacak drejt Izraelit, duke glorifikuar kafshërinë e terroristëve të Hamasit,  iu sugjeroj vëllazërisht të ulen në gjunjë dhe të lexojnë Kuranin me sytë e e mendjes tyre ama. Jo të dëgjojnë të dalët mendsh, por t’i binden profetit Muhamed, paqja e zotit qoftë mbi të, i cili thotë mos jini njerëz që kërkoni hakmarrje, por falni dhe pajtohuni. Mos kërkoni sherre e e përçarje, por jini ata që pajtojnë duke i bërë njerëzit bashkë”, përfundon Rama./tvklan.al








Read Entire Article