Rama krah Macron: Më vjen keq ta them, por KiE i ngjason familjes ku stërnipat kundërshtojnë gjyshërit

1 year ago 9
12:28 17/10/2023

Kryeministri Edi Rama nuk e pranon faktin që disa shtete anëtare të Bashkimit Europian, të cilat nuk kanë të njëjtën potencë si Franca apo Gjermania, të kenë të njëjtën fuqi vendimmarrëse në Këshillin Europian.

Këtë opinion të tij, Kryeministri e deklaroi përpara Presidentit të Francës Emmanuel Macron gjatë konferencës për shtyp nga Tirana.

Këshillin e Europës, Rama e krahasoi me një familje ku në tavolinë janë ulur gjyshërit, prindërit, fëmijët dhe stërnipat, ku një vendimmarrje të më urtëve, sipas kreut të qeverisë shqiptare, e kundërshtojnë më të vegjëlit.

“Bashkimi i Europës duhet të ndodhë dhe mund të ndodhë se nuk ta jep bashkimin e Europës fakti që ne kemi statusin e anëtarit të plotë apo nuk e kemi. Nuk të bën të bashkuar me Europën fakti që ke të drejtën e votës apo s’ke të drejtën e votës në KiE. Nuk të bën të bashkuar me Europën fakti që të gëzosh brenda për brenda Bashkimit Europian të njëjtën fuqi në vendimmarrje si Franca. Se dhe kjo është një çmenduri. Më vjen keq ta them në sy të Presidentit, por mua, Këshilli Europian sot, më duket si një familje ku gjyshërit, prindërit, fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve janë në të njëjtën tavolinë dhe të gjithë kanë njësoj të drejtë të ndalojnë vendimmarrjen. Në cilën shtëpi funksionon kjo? Gjithë pjesa e urtë dhe me eksperiencë e shtëpisë thotë duhet të marrim këtë vendim, çohet stërnipi thotë jo nuk dua, ikni. Si funksionon? Dhe ndërkohë që Europa përballet me fuqira të mëdha të vjetra dhe të reja që kanë një kapacitet vendimmarrës imediat vertikal dhe strategjik. Si mund ta përballojë Europa këtë sfidë. Ky është një problem, fatmirësisht për ne dhe fatkeqësisht për Presidentin dhe për udhëheqësit e Europës që duhet ta zgjidhin këta, nuk e zgjidhim ne”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article