Rama-Manastirliu vlerësojnë me “Medaljen e Artë” 162 ekselentë

10 months ago 37

19 Dhjetor, Tiranë- Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, kanë vlerësuar me “Medaljen e Artë” 162 maturantë me rezultate të shkrlqyera, në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e Kryeministrisë.

Duke e konsideruar këtë ceremoni një nga momentet më të bukura në punën e tij, Kryeministri Edi Rama, ka vlerësuar të rinjtë për arritjet e tyre të larta.
“Të arriturit e ekselencës është prova që asgjë nuk mund ta pengojë njeriun, kur ai apo ajo është e vendosur të arrijë atë që synon. Jam i bindur se mes jush, ka vajza dhe djem, familjet e të cilëve nuk kanë kushte optimale. Jam i sigurt se mes jush ka vajza dhe djem që do të ishin të justifikuar nëse nuk do të kishin këto rezultate. Ja ku jeni këtu dhe ja keni dalë të provoni në radhë të parë për vete, pastaj edhe për prindërit tuaj, se juve nuk ka asgjë që ju ndalon”,- u shpreh Kryeministri Rama në fjalën e tij.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj u shpreh se këta nxënës kanë arritur këtë sukses falë punës dhe vullnetit të tyre.
“Ky vit është viti që ne kemi një rekord të ekselentëve. 162 medalistë të cilët kanë arritur rezultate të larta në gjimnaz dhe sot do të vlerësohen për këto arritje”,- tha Ministrja Manastirliu në fjalën e saj.
Manastirliu bëri me dije se me buxhetin e ri është rritur mbështetja me bursa për studentët.
“Me buxheti e ri do të përfitojnë mbi 50 mijë studentë në mënyra të ndryshme, duke përfshirë bursa, përjashtime ose reduktim të tarifave të studimit, si dhe mbështetje financiare sa paga minimale për ata që ndjekin studimet në fushat prioritare ose që kanë shkëlqyer në performancën e tyre akademike”,- tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja Manastiliu theksoi se në fokus të punës së MAS është ndërkombëtarizimi dhe profilizimi i universiteteve, për të bërë të mundur që të kemi një ofertë akademike më tërheqëse, që përputhet më mirë me nevojat e tregut të punës.

Në ceremoninë e dhënies “Medalja e Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute janë vlerësuar 162 nxënës ekselentë me Medalje Ari, 121 prej maturantëve ekselentë ndjekin studimet në universitetet shqiptare në fusha të ndryshme të dijes në nivelin universitar, si mjekësi, stomatologji, farmaci, shkenca kompjuterike dhe informatikë. 92 prej nxënësve do të jenë pjesë e programit të ekselencës me bursa sa paga minimale, që do të thotë që jo vetëm do të mbështeten financiarisht, por do të kontribuojnë në vendin tonë në ato fusha prioritare që vendi ka nevojë.

Read Entire Article