Rama: Në asnjë rast, asnjë anëtar i familjes time nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike! Akuza të neveritshme

10 months ago 6
14:36 24/11/2023

Në konferencën e sotme me gazetarët, kryeministri Edi Rama u pyet edhe lidhur me akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj anëtarëve të familjes së tij.


Rama theksoi se “nuk ka ndodhur kurrë që ndonjë anëtar i familjes së tij të marrë qoftë dhe një qindarkë të vetme nga fondet publike”, duke i cilësuar këto akuza të Berishës si “përpjekje të dëshpëruara të llumit dhe të neveritshme”.

Më tej ai dha koment dhe për akuzat e kryedemokratit për fluturimet e kreut të qeverisë, duke shtuar se janë të gjitha lehtësisht të verifikueshme.

-Zoti kryeministër desha një përgjigjie në lidhje me akuzat e ish-kryeministrit se thjeshtra juaj siç e quan ai, ka marrë shumë tendera publikë edhe se kunati juaj është përfitues i fondeve publike.

Edi Rama: Tani më vini në pozitë pak të vështirë sepse ndërkohë që s’jam fare i prirur të komentoj akuzave të dikujt që është subjekt i listës së zezë të SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë dhe subjekt i drejtësisë në Shqipëri për ato arsye që ju i dini…Pyetja më vjen nga ju, nga një gazetar dhe shmangia do të krijonte  një keqkuptim të padrejtë me personat që ti citove, që janë shënjestër e kësaj mënyre shumë të ulët të të shfrytëzuarit të mundësisë për të folur në publik. Kurrë, kurrë! Në asnjë rast, asnjë anëtar i familjes time nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike dhe jo vetëm kaq, po meqë po ma jepni këtë mundësi, unë dua që ta mësojnë të gjithë…Edhe ata të cilët mbase mund të impresionohen nga akuza absurde për milionat eurot e shpenzuara për fluturime që unë dhe në të gjitha rastet që anëtarë të familjes time udhëtojnë me mua, udhëtoj në dy mënyra. Në rastet e vizitave zyrtare me avionin përkatës, në të gjitha rastet e tjera me avionët e linjave si të gjithë shqiptarët, më ekonomikë dhe me shpenzimet e mia dhe të familjes.

Në të gjitha rastet kur ka ndodhur që unë të kem një vizitë pune dhe bashkëshortja ime të më shoqërojë, biletën e saj apo cilido nga fëmijët që ka qenë me ne e kemi paguar vetë, nuk e ka paguar shteti. E bëj këtë sqarim sepse dua të sjell një shembull, që s’është i vetmi, për mënyrën si e kuptoj unë dhe ne në familjen tonë, detyrën time. Natyrisht siç e kam thënë më parë, asnjë nga këto akuza dhe këto hedhje përpjetë të llumit nuk shkon deri në fund kur mbetet midis çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri, duhet që ju apo cilido që është i interesuar t’i verifikojë këto që po them unë. Nëse ka diçka që s’ shkon, ta ekspozojë, ta bëjë me dije. Unë e them me shumë krenari, edhe pse kjo duhet të ishte norma jo ndonjë përjashtim, që çdo përpjekje për të bërë simetri apo konkurrencë në pisllëk me familjen time është përpjekje e dëshpëruar dhe e neveritshme dhe që s’ka asnjë shans të fitojë. /tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article