Rama në Gjermani: I kemi bërë detyrat për integrimin. Kryeministri i Bavarisë: Shqipëria i përket BE-së

9 months ago 22
19:46 18/01/2024

Për Gjermaninë, Shqipëria i përket Bashkimit Europian. Ky ishte apeli i dhënë nga kryeministri bavarez Markus Söder gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, kryetarin e grupit parlamentar të CSU-së  Klaus Holetshek dhe anëtarin e Parlamentit Europian, Manfred Weber, të cilët theksuan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në union.

“Lidhja e gjatë mes Bavarisë dhe Shqipërisë ka një të ardhme që ne duam, njëra është angazhimi i qartë se Shqipëria i përket Bashkimit Evropian. Ne besojmë se kjo është e rëndësishme për të forcuar Bashkimin Evropian në konkurrencën globale. Unë gjithashtu besoj se një Evropë e fortë, e zgjeruar është shumë e rëndësishme, veçanërisht në lidhje me të gjithë Ballkanin Perëndimor, pikërisht për shkak të sfidave me të cilat po përballet Evropa nga jashtë”, Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder.   

Edhe pse Shqipëria e ka të përcaktuar qartazi pozicionin e saj në Europë, kryeministri Rama thotë se vendi i tij ia ka dalë të përmbushë detyrat e shtëpisë të vënë nga Brukseli, duke nisur me ekonominë.

“Ne nuk jemi BE, por jemi E pa B kështu që,  askush nuk mund të vendosë për ne, nëse jemi a jo europiane sepse kjo tashmë është vendosur nga Zoti i plotfuqishëm e nga gjeografia që na ka vendosur në mes të Europës dhe Bashkimi Europian është realiteti i vetëm në historinë e hartave me kufij të jashtëm dhe një kufi të brendshëm. Nuk ka ekzistuar asnjë realitet tjetër i ngjashëm në histori. Pra, hyn në BE dhe për të ardhur në Shqipëri duhet të dalësh nga BE-ja. Është thjesht një fluturim 1orë e gjysmë prej këtej dhe ne jemi në mes. Ne duam të jemi plotësisht pjesë e saj. Për këtë ne duhet të bëjmë punën tonë, po bëjmë gjëra të mira, mendoj, në shumë fusha. Ekonomia jonë po ecën më mirë, turizmi ynë po lulëzon e meqë ra fjala, ju ftoj të gjithëve të vini e të na vizitoni”, tha kryeministri Edi Rama.

Emigracioni i paligjshëm dhe sfidat që duhet të adresojë Bashkimi Europian ishin një tjetër çështje që u diskutua në konferencë. Si shembull të kontributit që Shqipëria po jep, edhe pse jo vend i Bashkimit Europian, Rama solli marrëveshjen e nënshkruar mes tij dhe homologes italiane Giorgia Meloni.

“Ne po bëjmë pikërisht atë çfarë të shkruhet në marrëveshjen evropiane, një qendër pritjeje për të shqyrtuar çdo rast dhe për të kryer të gjitha procedurat bazuar në ligjet evropiane, nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e  politik. Ka shumë konflikte politike bazuar në interesat e politikës së ditës kur vjen fjala për këtë temë e po kështu edhe për shumë tema të tjera dhe kjo është humbje kohe, kjo krijon huti mes njerëzve dhe kjo është të humbasësh horizontin për nga e ardhmja”, tha Rama.

“Ajo që po ndodh tani në Shqipëri mund të jetë një model për Evropën. Duhet të shihni se si funksionon në praktikë. Së pari duhet të testohet. Rastësisht, më duket shumë më bindëse se Ruanda, nëse mund të them kështu, sepse po ndodh në kontinentin evropian dhe është gjithashtu më e ndjeshme përsa i përket çështjes dhe ne do ta vëzhgojmë me vëmendje. Por një zgjidhje e tillë në fakt mund të ndihmojë”, u shpreh kryeministri bavarez, Söder.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në landin e Bavarisë, me ftesë të kryeministrit bavarez Markus Söder, si pjesëmarrës në takimin tradicional të fillim vitit të Unionit Social-Kristian, për të adresuar lidershipin e Unionit mbi sfidat europiane, Shqipërinë si një shembull suksesi në rajon dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë, e me Bavarinë posaçërisht, përmes bashkëpunimit politik, ekonomik, tregtar e kulturor.

Tv Klan


Read Entire Article