TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka ndarë detaje nga takimi që ka zhvilluar sot në Bruksel me presidentin e Këshillit të Europës, Charles Michel.

Kryeministri Rama nënvizon se de-eskalimi i tensioneve në Kosovë është i domosdoshëm për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Me Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, ishim të një mendje se lirimi i tre policëve të Kosovës sot ishte një lajm shumë i mirë, megjithëse i vonuar!”, bëri me dije Rama.

“Domosdoshmëria e de-eskalimit të menjëhershëm, e cila është rruga e duhur drejt fazës finale të Dialogut për Marrëveshjen e Normalizimit mes Kosovës e Serbisë, duhet kuptuar qartë nga të dyja palët edhe si një detyrim madhor ndaj krejt rajonit, i cili nuk mund të merret peng nga askush”, nënvizon kryeministri Edi Rama.

Pas letrës së dërguar ndaj presidentit francez dhe kancelarit gjerman për një shtysë të re nga BE për zbatimin e planit franko-gjerman si zgjidhje për tensionet Kosovë-Serbi, kryeministri Edi Rama udhëtoi këtë të hënë në Bruksel për t’u takuar me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.