Rama: Procesi i futjes së Ballkanit Perëndimor në BE duhet përshpejtuar, në vendet e tjera ka ndikim rus

11 months ago 33
Reklamë
14:00 29/09/2023

Kryeministri Edi Rama ka qenë në Berlin këtë të premte si i ftuar në një prej bashkëbisedimeve në forumin e ri ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue”. Kreu i qeverisë u shpreh se zgjidhja e vetme e Ballkanit Perëndimor është që të futet në BE. Sipas tij, Shqipëria është e drejtuar 100% nga komuniteti euroatlantik, por në shumë vende të tjera të rajonit ka prani ruse dhe kjo duhet zbutur duke integruar Ballkanin Perëndimor në BE.

“Më duhet të them që pas pushtimit rus edhe më skeptikët edhe ata më distantët nga Ballkani Perëndimor kanë kuptuar rëndësinë e tij gjeopolitike. Ballkani Perëndimor ka një histori mjaft të vështirë, por është në zemër të Europës. Nuk ka asnjë zgjidhje përveç futjes së Ballkanit Perëndimor në BE. Kompleksiteti i Ballkanit Perëndimor sot është një tjetër arsye pse procesi i futjes së Ballkanit Perëndimor duhet përshpejtuar. Jemi në mes të shumë aktorëve. Nuk po flas për Shqipërinë sepse Shqipëria është shumë e qartë edhe pse ka pasur një histori që i ka mësuar shumë në lidhje me lojtarët e mëdhenj edhe kur të tjerët ose nuk e njihnin ata si Rusia apo Kina, që i njohëm në mënyrën më të vështirë të mundshme. Shqipëria është e drejtuar 100% për nga komuniteti euroatlantik. Por në vendet e tjera kemi më shumë prani ruse, më shumë ndikim rus dhe kjo duhet zbutur plotësisht duke integruar më shumë Ballkanin Perëndimor në BE. Mendoj se jemi të vegjël për të bërë dallimin, por jemi konsistentë në shumë mënyra dhe besoj se do të jetë një vlerë neto sa i takon paqes dhe sigurisë”, u shpreh Rama.

Sipas tij, agresioni rus i ka hapur sytë gjithkujt dhe i ka bërë të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi.

“BE ka problemet e veta që i njohim mjaft mirë, një proces mjaft i vështirë vendimmarrjeje dhe ndikim shumë i madh i politikës vendase mbi shtetet anëtare që herë-herë përcakton qëndrimin e Unionit. Ndonjëherë siç e thotë një miku im, na duket sikur duke qenë të duruar për shkak të historisë sonë dramatike, duke e parë BE-në si psikolog, shohim që edhe psikologu është i traumatizuar. Kjo është e vështirë. Gjejmë ndonjëherë veten duke ndihmuar psikologun. Nuk di të them për data dhe afate sepse nuk jam i sigurt që BE ka kapacitetin për të vendosur një afat dhe për ta respektuar më pas. Të gjithë mund të jenë dakord kur vendoset një afat, por kur vjen puna për ta respektuar këtë afat dikush mund të mos jetë dakord. Kështu që trauma kthehet. Jemi në paqe me veten që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë sepse në fund të fundit besoj se BE është burimi më i jashtëzakonshëm i njohurive në ndërtimin e shtetit.

Të kesh mundësisht ta marrësh këtë dije për të ndërtuar një shtet modern për fëmijët tanë ky është objektivi. A jemi sot, nesër, pasnesër anëtarë, kjo nuk varet vetëm nga ne. Më duhet të rrëfej se jam ndjerë herë-herë i traumatizuar nga procesi i pafundmë i çeljes së bisedimeve për anëtarësim. Ishte shumë e vështirë të gjeje një lloj ekuilibri mendjeje që thoshte ju duam, por nuk duam të flasim”, tha ai./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article