Rama: Shqipëria, faktori më aktiv i paqes dhe stabilitetit në rajon

1 year ago 17
11:05 12/10/2023

Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria e tij e ka ngritur Shqipërinë në një nivel të ri. Kjo është arsyeja, pse sipas kreut të qeverisë, sot vendi ynë respektohet si e barabartë në çdo instancë dhe rrethanë. Po ashtu, sipas tij, kjo është edhe arsye pse Shqipërisë i janë besuar mikpritje të rëndësishme.

“Vlerësohemi për dinjitetin dhe qartësinë që tregojmë me fjalë dhe me vepra. Pyetemi nga të gjithë aktorët kryesorë të komunitetit euroatlantik që na konsultojnë rregullisht për problematikat rajonale. Çmohemi si një vend serioz të cilit i besohen role me rëndësi në tryezat kryesore ndërkombëtare. Më e fundit zgjedhja e Shqipërisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB, apo na kërkohen mikpritje samitesh të rëndësishme të atij komuniteti këtu në Shqipëri. Gjëra të paimagjinueshme deri pak vite më parë. Kjo nuk ndodh as se unë vesh atlete nëpër samite, as se ata që na besojnë nuk dinë çfarë bëjnë apo nuk kanë se ku të mblidhen. Kjo ndodh vetëm e vetëm sepse e kemi ngritur Shqipërinë në një nivel të ri, politikën tonë të jashtme në një stad të ri, pozicionin e shtetit tonë në rajon në një majë të re”, tha kryeministri Edi Rama.


Sipas Ramës, Shqipëria është tashmë faktor aktiv i stabilitetit dhe paqes në rajon.

“Sa herë e kemi dëgjuar nga qeveritë paraardhëse ta thonë me krenari Shqipëria faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Gjithmonë, nga të gjitha qeveritë, majtas dhe djathtas. Ndryshimi është se deri dje Shqipëria ishte faktor pasiv paqeje dhe stabiliteti, ndërsa sot është faktori më aktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal. Kjo është vënë re gjithmonë e më qartë dhe shihet me respekt nga bashkësia ndërkombëtare”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit kjo bëhet “për Shqipërinë dhe të gjithë kombin shqiptar”./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article