Raportet e Kosovës me SHBA-në, analistët komentojnë deklaratën e ambasadorit amerikan - këto janë pikëpamjet e tyre

1 month ago 6
Reklamë

Jeffrey Hovenier, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se mbështetja e SHBA-së ndaj Kosovës dhe popullit të saj nuk ka ndryshuar dhe është e fuqishme dhe e hekurt si gjithmonë, ani pse kanë disa mospajtime me disa vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti.

“Qeveria ime bashkë me ato të disa partnereve qe ne punojmë, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, BE, kemi disa shqetësime, për disa zgjidhje politike të çështjeve politike që i ka bërë Qeveria Kurti e të cilat pamundësojnë të arrijmë atë çfarë duamë të arrijmë. Shpresoj që të kemi bashkëpunim sa më të ngushtë në mënyrë që kur të kemi çështje të vështira të kemi mundësinë t’i çojmë përpara më lehtë”, ka thënë ambasadori Jeffrey Hovenier.

Raportet me SHBA-në

E sipas analistit politik, Nexhat Haziri, kjo deklaratë e Hovenier tregon realitetin e raporteve që Qeveria Kurti ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Deklarata e ambasadorit Hovenier tregon qartë realitetin e raporteve aspak të mira ndërmjet qeverisë së Kosovës, konkretisht kryeministrit Kurti me aleatin tonë më të rëndësishëm, siç është SHBA. Dhe kjo natyrisht se përbën shqetësim për proceset demokratike në drejtim të forcimit dhe zhvillimit si dhe për integrimet euro-atlantike të vendit tonë”, shprehet Haziri.

Image

Nexhat Haziri

Ai thotë se Kurti duhet të jetë i kujdesshëm në veprimet e tij në raport me SHBA-të dhe aleatët e Kosovës.“Andaj kryeministri Kurti do të duhej të ishte i vëmendshëm në veprimet e tij që mos t’i dëmtoj këto raporte që kruciale për perspektiven e vendit, pasi pa një përkrahje dhe mbështetje të aleatëve tanë, në veçanti të SHBA-s, vendi i ynë do ta ketë te vështirë për ta ndjekur rrugën e zhvillimit, të anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare dhe të sigurimit të njohjeve te reja për shtetin”, thekson Haziri.

“Unë nuk besoj se raportet tona shtetërore me SHBA-në varen se kush është në administratën amerikane, demokratët apo republikanët, por varen nga sjelljet e qeverisë së Kosovës, se sa kjo është bashkëpunuese me Uashingtonin zyrtar dhe sa është e gatshme për t’i mirëmbajtur dhe avancuar raportet me SHBA-në, gjë që deri më tani Kurti dhe qeveria e tij po e bëjnë të kundërtën”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

Qarri kritika për ambasadorët

Image

Gani Qarri

Kurse, analisti Gani Qarri mendon ndryshe nga analisti Haziri.

Sipas tij, Hovenier i është nënshtruar kërkesave të emisarit, Gabriel Escobar.

“Ambasadori i SHBA-ve dhe shteteve të QUINT-it, përfundimisht, si kudo tjetër në botë, duhet të respektojnë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës si vend mikpritës dhe jo të përpiqen as tentojnë t’i mënjanojnë e shkelin publikisht, që të dyja, në mënyrë që në raste të caktuara, t’i krijojnë favore një vendi agresor si Serbia, në brendësi të territorit të vendin tonë edhe me çmimin e shkaktimit të dëmeve të pariparueshme ndaj shtetit të Kosovës. Siç dihet ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, nën presionin e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së Escobar, disa herë u është nënshtruar kërkesave të Escobarit e ndonjëherë edhe të ambasadorit amerikan në Serbi, Kristofer Hillit, për ta vënë, pa të drejtë, Kosovën nën kritika dhe presion të vazhdueshëm, në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qoftë edhe për mbylljen e zyrave ilegale dhe shuarjen e strukturave paralele të Serbisë, në vendin tonë”, shprehet Qarri.

Qarri thotë se ambasadorët e vendeve mike duhet ta njohin dhe ta respektojnë kushtetutën e Kosovës.

“Ndaj gëzon shumë fakti se, pas shkarkimit të emisarit Gabriel Eskobar, nga Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe ambasadori Jeffrey Hovenier, ka përsëritur qëndrimin, se mbështetja e SHBA-së ndaj Kosovës dhe popullit të saj nuk ka ndryshuar dhe është e fuqishme dhe e hekurt si gjithmonë. Ambasadorët e vendeve mike, duhet ta njohin edhe de-jure vendin tonë si shtet të pavarur, si dhe t’i respektojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, e jo t’i cenojnë apo të përpiqen t’i mënjanojnë dhe shkelin me të dy këmbët ato, për të përmbushur orekset e Serbisë në Kosovë. Edhe deklarata më e re e ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier, se ende paska mospajtime me disa vendime të Qeverisë Kurti, dëshmon se përveç insistimit të vazhdueshëm që e gjithë marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të përqendrohen vetëm në pikën për asociacionin një etnik serb, lë të dyshohet publikisht, se përfaqësuesit amerikan, pas më tepër se 25 vitesh të kaluara, dashkan të dalin edhe kundër hapjes së Urës kryesore mbi lumin Ibër”, nënvizon Qarri.

“Faktikisht hapja e kësaj ure, nga Qeveria e Kosovës u diskutua edhe me ambasadorët e QUINT-it, ani pse këto akte, nuk janë punë të ambasadorëve, por veprime të detyrueshme kushtetuese të Republikës së Kosovës, të cilat Qeveria e Kosovës obligohet t’i zbatojë. Pra, nëse ambasadorët dhe emisarët aktual amerikan, nuk kanë vullnet të pranojnë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës dhe dalin publikisht kundër çdo vendimi ligjor e kushtetues, të Qeverisë dhe organeve ligjzbatuese për rivendosjen e rendit e të ligjit dhe garantimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të të gjitha etnive edhe në veri të Kosovës, me të cilat ka të bëjë shumë edhe hapja e Urës mbi lumin Ibër, këto qëndrime, pa fajin e Kosovës, e vrasin fort dhe pashërueshëm shpresën që të kemi bashkëpunim më të ngushtë, edhe kur ka nevojë që t’i tejkalojnë më lehtë zgjidhjet e vështira”, shton analisti Gani Qarri.

Më tej, Qarri thekson se duhet një mirëkuptim mes Qeverisë Kurti dhe aleatëve amerikanë, në mënyrë që bashkëpunimi mes dy vendeve të vazhdojë siç ka qenë deri më tani.

“Kjo për faktin se si Escobar e Hill, e ndonjëherë nën ndikimin e tyre, edhe ambasadori Hovenier, në vend të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, dilnin e dalin edhe sot me kritika dhe pengesa të hapura, të cilat janë në kundërshtim të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës. Andaj është e qartë për të gjithë, se bashkëpunimi kërkon vullnet të dyanshëm, nuk mund të zhvillohet e forcohet bashkëpunimi njëanshëm dhe vetëm me vullnetin e mirë të Kosovës, këtë duhet ta dëshmojnë me respektimin e ligjeve dhe të kushtetutës së vendit tonë edhe përfaqësuesit e SHBA-ve, si dhe vendeve të QUINT-it, sepse në këtë mënyrë, mund të gjendet edhe mirëkuptimi i nevojshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës vendeve të QUINT-it dhe Ambasadës së SHBA-ve. Përfundimisht, kusht i vetëm, është dhe mbetet, që edhe përfaqësuesit e SHBA-së, dhe vendeve të QUINT-it, të respektojnë ligjet e kushtetutën dhe njohin edhe de jure, tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës, të pranuar si shtet i pavarur që prej ditëve të para, nga SHBA dhe dëshmojnë këtë, duke mos penguar më Kosovën, në rivendosjen e rendit e të ligjit si dhe garantimin e lëvizjes së lirë, për qytetarët, në gjithë territorin, si në jug edhe në veri të Kosovës”.

“Nuk mund të dënohet Kosova si vendi më pro-amerikan, si asnjë shtet tjetër në botë që edhe pas 25 vitesh, nga çlirimi, të jetojë me qytete të ndara, ura të mbyllura, dinar serb, e struktura paralele të Serbisë, pikërisht nga miqtë si SHBA dhe për këtë të fajësohet Qeveria e deklarohet se kemi mospajtime me Qeverinë e Kosovës, ngase ka mbi 25 vite që jetojmë të lirë e në paqe, në vend se t’i hapet rrugë mirëbesimit të plotë, partneritetit dhe bashkëpunimit të vërtetë, ndërmjet të dy vendeve dhe të bëhet sa më premtuese edhe e ardhmja për raportet Kosovë-SHBA, veçanërisht në këto momente të rëndësishme, kur dihet se në SHBA, vazhdon fushata intensive elektorale dhe së shpejti do të mbahen edhe zgjedhjet e reja presidenciale”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Read Entire Article