Reagon opozita serbe: Incidentet në protestë i shkaktuan “huliganët e autoriteteve”

10 months ago 17

Koalicioni “Serbia kundër dhunës” (SPN) pretendon se incidentet në protestën e opozitës në Beograd më 24 dhjetor u shkaktuan nga “huliganët e dërguar nga qeveria”.

“Autoritetet përdorën dhunë për t’i paraqitur protestat paqësore si të dhunshme”, thuhet në deklaratën e SPN-së.

Ky koalicion shtoi se “dërgimi i huliganëve” për të shkaktuar incidente në protestë është përdorur nga qeveria për ta dëmtuar iniciativën e protestuesve që kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

“Regjimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka treguar edhe një herë fytyrën e tij të vërtetë, të dhunshme”, tha koalicioni “Serbia kundër dhunës” më 25 dhjetor.

SPN-ja: U përdor forcë brutale

Në deklaratën e SPN-së thuhet se njësitë speciale kanë përdorur forcë brutale ndaj qytetarëve.

“E rrahën njërin nga demonstruesit dhe ia thyen këmbën, duke e goditur me shqelma përderisa ishte i shtrirë në tokë. Pas protestës, policia sulmoi edhe Radomir Lazoviqin nga Fronti i Gjelbër i Majtë”, thuhet në njoftimin e SPN-së.

Ky koalicion politik deklaroi se janë arrestuar një numër i madh i qytetarëve paqësorë, për të cilët paralajmëroi se do të sigurojë mbrojtje ligjore.

“Pavarësisht kostos, ne nuk do ta pranojmë kurrë vjedhjen që u organizua në zgjedhjet e 17 dhjetorit”, tha SPN-ja.

Shapiq: Policia ishte tolerante

Aleksandar Shapiq, zyrtar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe kryetar i Autoritetit të Përkohshëm të Qytetit të Beogradit, tha se policia iu përgjigj protestave në mënyrën më tolerante të mundshme.

“Demonstrata të tilla nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet, sepse bëhet fjalë për përmbysjen e shtetit nga një grup njerëzish”, tha Shapiq.

Më shumë se 30 demonstrues janë arrestuar gjatë protestës së koalicionit opozitar “Serbia kundër dhunës” më 24 dhjetor në Beograd.

Gjatë protestës, një grup personash të maskuar kanë tentuar të hyjnë në Kuvendin e Beogradit, kanë thyer xhamat dhe dyert, ndërsa policia brenda ndërtesës ka hedhur gaz lotsjellës ndaj tyre.

Policia më pas u vendos para Kuvendit të Beogradit dhe i largoi të grumbulluarit nga ajo pjesë e qytetit ku ndodhen ndërtesat e Presidencës së Serbisë, Kuvendit të Serbisë dhe selia e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve. Policia tha se shtatë policë kanë mbetur të lënduar.

Kjo ishte protesta e shtatë e opozitës në kryeqytetin e Serbisë me kërkesën për anulimin e zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor. Lista “Serbia kundër dhunës” pretendon se Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet vodhi zgjedhjet, ndër të tjera, duke regjistruar në mënyrë fiktive votuesit e tyre nga vende jashtë Serbisë./Rel

Top Channel

Read Entire Article