Receta e Rizotos me Shafran – Shije dhe Aromë Unike

5 days ago 21

Rizoto është një pjatë tipike Italiane. Ndërsa shafrani një erëz që është përdorur që në antikitet dhe njihet për shijen pikante dhe aromën karakteristike.

Aftësia për të përgatitur një rizoto të mirë është asi nën mëngë për çdo amvisë sepse një pjatë e tillë është shumë e shijshme dhe përgatitet lehtë, siç do ta mësoni në këtë artikull të AgroWeb.org

Përbërësit ( për dy persona)

1 lugë gjelle vaj ulliri

1/2 qepë të verdhë

1-2 thelpinj hudhër

1 gotë e gjysmë me oriz

4 gota me lëng mishi ose lëng perimesh

Gjethe dafine

Gjethe sherebele

1/2 filxhan çaji verë e bardhë

30g gjalpë

1/4 filxhan çaji djathë kaçkavall

Një lugë e vogël me shafran pluhur

Hapat që duhet të ndiqni

Për të përgatitur rizoton me shafran, fillimisht qëroni dhe prisni imët qepët dhe hudhrat.

Në një tigan shtoni vajin e ullirit dhe skuqni qepën dhe hudhrën për 3-4 min.

Më pas shtoni në tigan orizin dhe ndërkohë që e trazoni shtoni pak e nga pak lëngun e mishit ose të perimeve.

Vazhdoni duke trazuar orizin dhe shtoni disa gjethe sherebele dhe pak nga gjethet e dafinës.

Shtoni gradualisht pjesën tjetër të lëngut, ndërkohë që trazoni orizin.

Gatuajeni në zjarr të ngadaltë për rreth 17 minuta. Sigurohuni që të vazhdoni të përzieni orizin ndërkohë që shtoni lëngun e perimeve ose të mishit.

Hiqni gjethet e sherebelës dhe dafinës nga orizi.

Më pas shtoni pluhurin e shafranit , në këtë mënyrë do të çlirohet më shumë aromë.

Në fund shtoni me ngadalë verën e bardhë, gjalpin dhe djathin.

Rizoto me shafran është gati. Pasi ta keni hedhur në pjata, ju mund t’i shtoni edhe pak djathë të grirë sipër.

Shënime

Kur vera shtohet në fund të procesit të gatimit, aroma e saj është më e theksuar sesa kur përdoret në fillim.

Rizoto duhet të shërbehet gjithmonë e gatuar lehtë dhe me kokrriza pak të forta./AgroWeb.org

Read Entire Article