Nga kjo fundjavë fillon grumbullimi i fundit i kuqezinjve për fazën e ndeshjeve në grupe të Nations League dhe padyshim grumbullimi më i rëndësishëm. Shqipëria do të luajë më 16 nëntor përballë Çekisë dhe pas tri ditësh po në ‘Arenën Kombëtare’ të Tiranës do të mbyllë këtë fazë me Ukrainën, me të cilën e filluam këtë ‘aventurë’.
Trajneri Sylvinho ka publikuar sot listën e të grumbulluarëve me 28 lojtarë për këto dy ndeshje të fundit për vitin 2024, për të cilat përgatitja zyrtarisht fillon nga kjo e hënë. Për numrin e madh të lojtarëve të grumbulluar trajneri Sylvinho, në konferencën për shtyp deklaroi:
“Kam 28 lojtarë, por kjo shpjegohet lehtë. Kemi 5 lojtarë me kartona të verdhë, dy ndeshje në shtëpi, nuk kemi transferta, nuk ka avion, kemi një qendër të mirë këtu. Kemi gjithçka këtu. Përtej atyre me të verdhë, kemi 3 lojtarë që janë në situatë gri. Kemi folur me doktorët, me klubet, edhe Stesinan, duhet të shohim situatën e Kumbullës, Manajt dhe Bares. Duhet të merren, të shohim si janë, nëse janë në gjendje të luajnë apo jo”.
Nuk do të ketë surpriza as sa i përket repartit të mbrojtjes, ku mbeten të njëjtit Ivan Balliu, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Andi Hadroj, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla dhe Enea Mihaj.
Në mesfushës bie në sy rikthimi i Keidi Bares, i cili mungonte prej kohësh për shkak të dëmtimit, por që për këto dy ndeshje Silvinho ka menduar ta grumbullojë si alternativë, ndërsa pjesa tjetër e qendrës së fushë është e njëjtë. Edhe në sulm, më në fund arrin të buzëqeshë Sylvinho, ku pas sinjaleve të mira nga Tuci në ndeshjet e fundit, i është rikthyer Rei Manaj që mungoi në grumbullimet e shkuara dhe Myrto Uzuni që ka rikuperuar dëmtimin, që e bëri të largohe nga ndeshja në Çeki dhe Gjeorgji.
Pjesa tjetër mbetet e njëjtë me Ernest Muçin, që po kalon një formë të shkëlqyer dhe Mirlind Daku, ndërsa mbetet ende në pritje për 2025-n tashmë, Armando Broja. Gjithsesi objektivi ynë mbetet vendi i parë në grup dhe mundësitë janë.
“Pa dyshim si të gjithë mund të dalim të parët, por në këtë grup mund të ndodhë gjithçka. Vjen Gjeorgjia dhe na mund, shkojmë ne atje dhe e mundim. Janë katër kombëtare që kanë luajtur në Europian, ka cilësi, janë lojtarë që luajnë në Bundesligë, Premier Ligë, janë të fortë. Kemi avantazhin që luajmë në shtëpi të dy ndeshjet, është një avantazh i vogël, por i mirë.”
Grumbullimi i lojtarëve do të nisë që të dielën në Tiranë me futbollistët që do të përfundojnë më herët impenjimet me skuadrat e tyre, ndërsa përgatitjet zyrtare nisin të hënën.