Regjistrimi i popullsisë/ ‘Zbulohen’ shkaqet e ‘zbrazjes’ së Kosovës

2 months ago 9
Reklamë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të premten rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Sipas të dhënave preliminare, Kosova ka 1 milion e 586 mijë e 659 banorë rezidentë. Prej tyre, 795 mijë 45 janë meshkuj dhe 791 mijë e 614 femra.

Sipas këtij regjistrimi, mosha mesatare për vitin 2024 është 34.82 (rritje për 4.85 vjet). Raporti gjinor nuk ka ndryshime. Dominojnë meshkujt.

Tani në vend dominon popullsia e grup moshave 16-64 vjet.

Tri komunat me dendësinë më të madhe të popullsisë janë Fushë Kosova, Mamusha dhe Prishtina.

Numri i banesave është 560 mijë. Numri i ekonomive familjare 353 mijë, derisa numri mesatar i anëtarëve për familje është 4.5 banor.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, sipas të cilit numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte 1 milion e 739 mijë e 825. Në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovë – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Këtë vit është bërë regjistrimi edhe në këto komuna, por ka pasur bojkotim në masë të madhe.

Ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se rezultatet përfundimtare në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, do të publikohen në dhjetor.

Analistë e sociologë kanë folur për “Bota sot”, rreth statistikave të ASK-së, duke përmendur edhe arsyet e rënies së numrit të popullsisë.

Selishta: Është përgjegjësi direkte e kryetarëve të komunave

Image

Bekim Selishta

Sociologu Bekim Selishta, thotë se përgjegjësia e rënies së popullsisë i bie kryetarëve të komunave.

Sipas tij, qytetarët kërkojnë mirëqenie më të mirë dhe status ekonomik më të mirë.

Është përgjegjësi direkte e kryetarëve të komunave, madje e përfaqësuesve të asaj ane që nuk kanë bërë shumë për ato pjesë për t’i zhvilluar. Nuk mund të jetë kryetar komune dhe të të dështojë e gjithë komuna dhe të mos merr përgjegjësi, nuk ka rëndësi parti politike. Kryetarët e komunave duhet të jenë përgjegjës, veçanërisht ata që kanë qenë shumë gjatë, në ato komuna që numri i popullatës ka rënë shumë, rrjedhimisht në pjesën e Kamenicës, prej 65 mijë banorëve ka rënë në 22 mijë, aty ata kryetarë që kanë qenë për shumë vjet janë përgjegjës, nuk mund të jenë qytetarët, se ata nuk janë fajtorë, ata kërkojnë një mirëqenie më të mirë, një status ekonomik më të mirë, ka disa kryetarë të komunave të nuk janë interesuar hiç për interesa personale”, shprehet Selishta.

Papunësia dhe strategjia jo e mirë e udhëheqjes së komunave, sipas sociologut, kanë ndikuar në rënie të popullsisë.

Termi kryetar është i madh, por jo edhe në udhëheqje, rënia e dukshme e popullsisë nuk është rezultat as i qytetarit, as i mediave, as i presidencës, por është i kryetarëve të komunës, pastaj shkon zinxhir deri te presidenti që s’ka bërë asgjë për atë komunë. Pra, nuk shkon nga lart te poshtë, por nga poshtë te lartë, se kryetari i komunës e di për atë komunë çka ka, ccka i mungon. P.sh. Kamenica ka shumë nxehe nëntokësore, por ka dështuar komplet si administratë. Domethënë papunësia dhe strategjia jo e mirë e udhëheqjes së komunave ka ndikuar”, shton Selishta.

I pranishëm në publikimin e rezultateve të e ASK-së, ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e vlerësoi këtë proces si shumë të rëndësishëm për vendin, duke theksuar ndikimin në vendime.

“Statistikat e mirëfillta janë si GPS për të ardhmen tonë. Me të dhënat e sakta jemi të sigurtë që nuk do ta humbim rrugën e ta gjejmë destinacionin tonë…Pa statistika cilësore edhe vendimet mund të jetë të pasakta e jo cilësore… Ky regjistrim është edhe shembull i bashkëpunimit dhe harmonisë të të gjithë njerëzve që morën pjesë në këtë proces kaq të rëndësishëm për vendin dhe të ardhmen tonë”, ka thënë Kurti.

Hertica: Shteti të ndërmerr politika afatgjate për ta frenuar apo ndaluar largimin

Image

Ali Hertica

Por, analisti politik Ali Hertica, ka kritika për qeverinë, madje thotë se ajo i ka mashtruar qytetarët, për këtë ka rënë numri i popullsisë.

 “Politikat që nxisin rënien e shkallës së lindshmërisë që në Kosovë është bërë një trend i rënies së fundit janë veçanërisht një qeveria e cila po e degradon sovranin dhe identitetin e një jete të dinjitetshme ku qytetari është vetëdijesuar dhe tani po mërgon në vendet perëndimor për një jetë të dinjitetshme. Tani me këtë qeverisje e cila deri më tani as një premtim nuk e përmbushi, sovrani dhe armata e rinisë e kuptoi se boll u mashtruan dhe vendosën t’i thonë lamtumirë Kosovës dhe të fillojnë një jetë të dinjitetshme që shteti t’i trajtojë ashtu siç duhen trajtuar”, pohon Hertica.

Sipas tij, qytetet e Kosovës po zbrazen dhe familjet po zvogëlohen dhe për këtë ndihmon shteti.

“Këto të dhëna tregojnë se qytetet e Kosovës janë duke u zbrazur dhe familjet po zvogëlohen ku fakti potencial është vetë politika dhe shteti thuajse po ndihmon zbrazjen e Kosovës, ku me këto statistika të fundit është një shqetësim shumë serioz dhe duhet të merren masat preventive që të ndalohet ky lloj eksodi dhe për këtë rënie të shkallës së popullsisë është vetë migrimi. Shteti duhet të ndërmerr politika afatgjate për ta frenuar apo ndaluar largimin, duhet menduar se pjesa më e mirë e Kosovës rilindja i ka rrënjët e tij këtu në Kosovë. Rritja e popullsisë me një hov të madh ishte nga vitet e 60-ta ku ishte një rezultat i madh i shtimit ku si rezultat ishte mos shpërngulja apo ekzodi dhe tani bie nataliteti. Është fajtor qeveria që nuk po arrinë të bëjë atë që duhet të bëjë për qytetarin, por vetëm për dëshirat e tyre dhe mashtrimet që i kanë si ego në trupin e tyre”, shton analisti.

Tutje, ai kërkon që t’i jepet rëndësi sovranit dhe armatës së re, pasi sipas tij, nëse nuk bëhet kjo gjë Kosova do të mbetet me politikanë mashtrues, hajdut, pensionistët dhe ndërtimet mbi ndërtime.

E gjithë kjo që tani po pasqyrohet si rënie e madhe fajtor janë qeveritë dhe shteti mashtrues që nuk ju hap vende pune dhe perispektivë për familjet e reja. Vetë kryeministri Kurti pati dhënë premtim mashtrues se në mandatin e tij 4 vjeçar qiftet do të kenë banim dhe punësim si prioritet, por kanë mbetur vetëm fjalë dhe asgjë, ku është për dhimbje një fëmijë t’i jep 8 euro shtesa, ku 2 euro ia vjedh banka dhe shumë faktorë tjerë. Nëse qeveria dhe tjerët që do të vinë nuk i japin rëndësi sovranit dhe armatës së re që t’i stimulojë të punojnë dhe t’i trajtojë dinjitetshëm nataliteti do të bie dhe Kosova do të mbetet vetëm me politikanë mashtrues, hajdut dhe klasën e armatën e pensionistëve dhe ndërtimet dhe mbi ndërtimet pas një banor”, përfundon Hertica.

Regjistrimi i popullsisë u bë nga 5 prilli deri më 24 maj. Këtë herë, kanë qenë shtatë pyetësorë për plotësim. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkëatdhetarëve.

 Mbledhjen e këtyre të dhënave, Agjencia e Statistikave e ka arsyetuar me rëndësinë për të bërë politika më të mira për vendin, për ta planifikuar buxhetin dhe investimet, për t’i përmirësuar kushtet e jetesës në vend dhe për investime të huaja.

Read Entire Article