Birra Korça u themelua në vitin 1928 nga një grup investitorësh shqiptarë dhe italianë. U zgjodh qyteti i Korçës me arsyen kryesore, atë të infrastrukturës pasi në fillim të viteve ’20 ishte i vetmi qytetet me një lloj infrastrukture, qoftë në furnizimin me ujë apo energjinë elektrike.
Te shtëpia e birrës ngjitur, edhe pllakat janë origjinale, nga Treviso, një qytet në veri të Italisë, sipër Venezias. Shtëpia e birrës Korça është ndoshta më e mira e llojit të saj në Shqipëri, e zbukuruar aty-këtu me objekte muzealë, si një kujtim se në këtë vend, një gjë që nuk ka ndryshuar prej një shekulli, është pikërisht birra.
Letrat e vjetra tregojnë se projekti i fabrikës, i bërë nga një projektues italian në 1928, filloi të zbatohej me vendim të parlamentit të kohës, me miratimin e Ahmet Zogut, i cili që prej 1 shtatorit ’28 ishte shndërruar në Mbret dhe me dokumente që u firmosën nga Pandeli Evangjeli, Mit’hat Frashëri dhe avokati korçar Mano.
Investitorët ishin 2: Italiani Umberto Umberti nga provinca e Valdobiadenes, akoma më në veri të Venezias, mbi Trieste, dhe Selim Mborja nga fshati Mborje i Korçës. Kështu, u krijua kompania “Birra Korça sh.a.”, me një kapital prej 950 000 franga ari, prej të cilave 600 000 i takonin Umberto Umbertit dhe 350 000 franga Selim Mborjes për truallin e fabrikës.
Kapaciteti prodhues i projektuar ishte 20 000 hl birrë/vit. Fabrika prodhonte birrë bionde, të zezë, ujë “Kristal” dhe akull. Procesi teknologjik i prodhimit të birrës për herë të parë u vendos nga një inxhinier teknolog gjerman, proces që ruhet edhe sot. Në vitin 1942 filloi ndërtimi i fabrikës së prodhimit të maltos, që përfundoi një vit më vonë.
Pas Çlirimit, fabrika u shtetëzua. Dhe pas Demokracisë, u privatizua, edhe një herë tjetër.
Sipas drejtuesve të fabrikës dhe pronarëve aktualë, familjes Hysenbelliu, birra Korça është e vetmja birrë origjinale që i ka rezistuar mbretërisë, pushtimit, italianëve, gjermanëve, komunizmit dhe demokracisë, pa ndryshuar përmbajtjen, duke ruajtur shijen, por edhe duke u modernizuar.
Eksperti teknologjik i Birrës Korça, Redi Buzo tregon se varieteti i ri Gold by Korça është një birrë autentike shqiptare, e cila i përket një “shkolle” midis “IPA” dhe “Belgian Golden Ale”.
“Kishim mbi një vit që ishim organizuar për këtë birrë të re. Indicie ka qenë një kërkesë e konsumatorëve për të pasur një birrë shoqëruese për shijen e ushqimeve mesdhetare që ne kemi në zonën tonë. Ka një aromë frutash me notacion agrumesh:, tregon ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb