Rezoluta e PE: Të hiqet vetoja për zgjerimin

7 months ago 10
18:57 29/02/2024

“Shtetet të mos ndikohen në mosmarrëveshje dy palëshe”

Parlamenti Europian me anë të një rezolutë të posaçme të miratuar në seancën e së enjtes iu bën thirrje shteteve anëtarë të Unionin që të heqin të drejtën e vetos sa i përket procesit të zgjerimit me shtetet e reja, duke kërkuar konsensus dhe më tepër efikasitet.

Në rezolutën e miratuar me 305 vota pro, 157 kundër dhe 71 abstenim theksohet se bazë e procesit duhet të jetë përmbushja e kritereve të vendosura nga BE dhe jo mosmarrëveshjet dy palëshe mes shteteve.

“Parlamenti Europian këmbëngul se zgjerimi i BE-së është përgjegjësi e përbashkët e shteteve anëtare. U bën thirrje shteteve anëtare të tregojnë një përkushtim të qartë dhe të vendosur politik ndaj procesit të zgjerimit bazuar në kritere objektive dhe të mos e përdorin atë për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe që duhet të zgjidhen pavarësisht nga procesi i anëtarësimit”.

Rezoluta vjen në një kohë kur vetoja e vendosur nga disa shtete ndaj vendeve kandidate për në BE është kthyer në një shqetësim dhe për vetë institucionet europiane. Bllokimi më i fundit erdhi nga Greqia ndaj Shqipërisë. Athina zyrtare në nëntor të vitit të shkuar doli kundër duke mos pranuar të firmosë letrën e përbashkët të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian drejtuar Shqipërisë për hapjen e negociatave të paketës së parë të kapitujve të anëtarësimit.

Qëndrimi i Athinës, i cili duket se është ende në fuqi vjen për shkak të Fredi Belerit, kandidatit fitues për bashkinë e Himarës, ndaj të cilit ka një proces gjyqësor me akuzat për korrupsion dhe blerje votash në zgjedhjet e fundit lokale të vitit të shkuar.

Ndërkohë që edhe Maqedonia e Veriut po përballet pengesa dhe me vendosje vetoje nga ana e Bullgarisë. Sofja zyrtare kërkon ndryshimin e Kushtetutës në përfshirjen e pakicave bullgare në këmbim të dhënies së dritës jeshile për procesin e integrimit.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article