“Rezultati në Serbi, shenjë e keqe për Kosovën”, ‘paralajmërohet’ BE-ja: Kështu duhet të veprojnë me Vuçiqin

9 months ago 25

Zgjedhjet në Serbi dhe rezultatet e tyre nuk është që janë pritur mirë nga faktori ndërkombëtar. 

Profesori në Universitetin amerikan, Johns Hopkins, duke komentuar fitoren e Vuçiqit në zgjedhje, thotë se ai ka krijuar një sistem të padrejtë zgjedhor që e favorizon atë. 

Sipas tij, rezultati “nuk është një shenjë e mirë” për marrëdhëniet mes dy vendeve. 

“Nuk shoh asnjë shenjë se Vuçiq është gati për një ndryshim serioz sa u përket marrëdhënieve me Kosovën. Përkundrazi, ai është nisur në drejtim të kundërt. Ai sërish bën thirrje për vendosjen e sovranitetit të Serbisë. Ai e kundërshton rëndësinë e marrëveshjeve të marsit dhe shkurtit [Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit për zbatimin e saj], të cilat SHBA-ja dhe BE-ja thonë se janë ligjërisht të detyrueshme”, ka thënë Serwer. 

Gjersa, opozita në Serbi nuk i pranon rezultatet madje organizojnë edhe protesta kundër tyre, edhe nga BE dhe ShBA ka pasur shqetësime për këtë çështje. 

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje të martën autoriteteve në Serbi të punojnë me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve që vëzhguesit kishin identifikuar gjatë procesit zgjedhor të fundjavës. 

“Pretendimet për parregullsi të raportuara nga OSBE-ja dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, është e papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë,” deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. 

Ndërsa, gjatë ditës së martë, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian thanë se procesi zgjedhor në Serbi duhet të përmirësohet ndjeshëm, pasi vëzhguesit e pavarur gjetën parregullsi shqetësuese, përfshirë blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të parakohshme të së dielës. 

Fitorja e Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet e së dielës në Serbi nuk është duke u pritur mirë as nga analistët në Kosovë, të cilët kërkojnë që faktori ndërkombëtar të mos e tolerojë më atë dhe ta detyrojnë t’i zbatojë marrëveshjet. 

Xani: Ideologjia dhe strategjia e tyre mbetet e njëjtë 

Analisti politik, Visar Xani, duke komentuar deklaratën e profesorit Serwer thotë se shenjë e keqe do të ishte gjuha mirëkuptuese e BE-së ndaj Serbisë. 

Sipas tij, nuk pritet ndonjë ndryshim i madh pas zgjedhjeve në Serbi, kjo për shkak të njerëzve të njëjtë. 

“Më shumë shenjë e keqe do të ishte nëse do të vazhdonte gjuha mirëkuptuese nga Bashkimi Evropian ndaj Serbisë, sesa një fitore pak më e madhe në zgjedhje që mbizotëron Vuçiqi. Për shkak se edhe më herët ka pasur një numër të madh të votave dhe nuk është se i ka munguar pushteti Vuçiqit. Nuk pritet ndonjë ndryshim i madh karshi Kosovës, sepse bëhet fjalë për njerëz të njëjtë, për qasje të njëjtë dhe vetëm me pak vota më shumë, por që ideologjia dhe strategjia e tyre mbetet e njëjtë, prandaj për të kundërshtuar këtë strategji dhe për të arritur neutralizimin e kësaj strategjie të padrejtë të Vuçiqit është e vetmja rrugë që faktori ndërkombëtar të arrijë ta ndëshkojë Serbinë nëse nuk i zbaton marrëveshjet dhe nëse ka qasje destruktive ndaj Kosovës. Kjo nuk varet shumë nga procesi zgjedhor për shkak se nuk pritet ndonjë ndryshim radikal për shkak se vijnë personat e njëjtë, fytyrat e njëjta, me bagazh të njëjtë”, shprehet Xani. 

Në anën tjetër, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, si pjesë e një delegacioni, vëzhgoi zgjedhjet parlamentare në Serbi që u mbajtën më 17 dhjetor. Ajo ka thënë se shumë vëzhgues nga organizata e institucione të ndryshme, vërejtën parregullsi të mëdha, dhe se për këtë duhet të bëhet një hetim i pavarur. 

Pavarësisht pa rregullsive, Von Cramon ka kërkuar nga qeveria e re në Beograd zbatimin e marrëveshjeve. 

“Ata duhet ta bëjnë këtë. Nuk më përket mua që të vendos. Së paku ne në Parlamentin Evropian, kemi qenë shumë strikt, shumë të qartë, pra nuk kemi dyshime. Ne kemi kërkuar minimumin që ne duhet të presim, nga secili që do të ecën përpara. Tani zgjedhjet përfunduan, s’ka pengesa. Në nivel nacional, shumica duket solide në Serbi. Kështu që s’ka arsyetim që të shtyhen hapat e radhës”,  ka deklaruar Von Cramon. 

Haziri: Këto zgjedhje kanë cenuar të gjitha standardet demokratike 

Gjersa, politikanja gjermane ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve nga të dyja vende, analisti politik Nexhat Haziri, thotë se duhet presion i shtuar. 

Sipas tij, dialogu nuk do të jetë i lehtë me fitoren e Vuçiqit dhe këtë rezultat. 

“Natyrisht deri sa nuk kemi një marrëveshje finale obligative me Serbinë, fitorja e partisë së presidentit serb Vuçiq në zgjedhjet parlamentare atje me një fuqi edhe më të madhe politike, natyrisht se në këtë aspekt nuk do të jetë e lehtë aspak që të kemi një rezultat në procesin e dialogut me çka do të çonte drejt normalizimit të raporteve në mes dy shteteve”, shprehet Haziri. 

Sipas tij, Serbia ka ardhur në momentin e saj historik dhe vendimtar që të vendos nëse do të zgjedh perëndimin apo Rusinë. 

“Procesi i zgjedhjeve në Serbi dhe jo vetëm rezultati që prodhuan, por edhe mënyra se si u zhvilluan këto zgjedhje kanë cenuar të gjitha standardet demokratike, dhe kjo ka bërë që faktori ndërkombëtar të jetë shumë i ashpër në adresë të vet presidentit Vuçiq, i cili ishte ai kryesori që projektoi skenarin e zgjedhjeve jo demokratike në Serbi. Dhe në këtë aspekt, tashmë jo që nuk kanë qenë të vetëdijshëm faktori ndërkombëtar për Vuçiqin si një politikan autoritar dhe destailizues për rajonin, por që tani pres një presion në rritje në adresë të Beogradit zyrtar sidomos në drejtim të raporteve me Kosovën dhe zbatimin marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, por edhe presionin e shtuar ndaj tij që ai të heqë dorë nga destabilizimi i brendshëm politik e të sigurisë në Malin e Zi dhe BH. Tani Serbia ka ardhur në atë momentin e saj, mbase historik e vendimtar ku duhet të zgjedhë në mes perëndimit dhe Rusisë. Brukseli dhe Washingtoni më nuk do ta tolerojnë që Vuçiq të manovrojë herë me perëndimin, në shumtën e rasteve vetëm deklerativisht, dhe herë me Rusinë, dhe më këtë të fundit me veprime dhe duke u shndërruar në kali të Trojës për interesat gjeostrategjike dhe politike të Kremilinit në rajonin e Ballkanit”, përfundon Haziri. 

Read Entire Article