Tre vatra të veçanta zjarri vijojnë të qëndrojnë ende të ndezura në ishullin Rodos. Zjarrfikësit u përpoqën të luftonin erërat e forta dhe të shuanin vatrat e rindezura në disa lokacione për të shtatën ditë radhazi, tha Brigada e Zjarrfikësve.
Vatra e zjarrit në Platania, pranë pjesës veriore të ishullit, po lëviz me shpejtësi në jug drejt fshatit Malona. Ndërkohë zjarrfikësit në një tjetër vatër zjarri të rindezur në afërsi të fshatrave Gennadi dhe Vati, në Rodosin e Jugut, po përpiqen maksimalisht që flakët të mos arrijnë në fshatra.
Të paktën dhjetë shtëpi u dëmtuan pasi zjarri u përhap në fshatin Asklipio, në veri të vendpushimit bregdetar të Kiotari në Rodosin Jugor, ku hotelet u evakuuan gjatë fundjavës. Rindezjet e vazhdueshme edhe atje kanë krijuar problem për zjarrfikësit.
Përveç kësaj, rindezja e vatrës së zjarrit është kthyer në problem në Laerma, një fshat në qendër të ishullit që ka pësuar dëme serioze. Zjarrfikësit duhet të merren me zjarrin në fshat dhe frontet përreth tij. Në ishull, erërat e forta me 7 beaufort janë shqetësuese për përhapjen e zjarrit në të gjitha frontet, theksoi Brigada e Zjarrfikësve.
Top Channel