Rikthimi i mundshëm i Grennellit, vjen paralajmërimi i ashpër: Kushdo që guxon dhe firmos ndarjen e Kosovës mund përballet me...

1 month ago 3
Reklamë

Ideja për shkëmbimin e territoreve është rikthyer sërish në qendër të diskutimeve, pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara për zgjedhjet Presidenciale të 5 nëntorit në SHBA.

Tërheqja e Biden dhe atentati ndaj kandidatit Donald Trump ka rritur gjasat që ky i fundit t’i fitojë këto zgjedhje.

E Trump bashkë me ish-përfaqësuesin i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell ishin proklamuesit kryesor të idesë për shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë..

Në Kosovë, një ide e tillë është konsideruar si cenim i sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shtetit.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot” njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, DR. Enver Bytyçi, ka thënë se Ambasadori Richard Grennell vazhdon të promovojë ndarjen e Kosovës ose atë që quhet ndryshim kufijsh e shkëmbim territoresh me Serbinë, si të vetmen zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb.

Image

Prof. Dr. Enver Bytyçi

Bytyçi ka rikujtuar se kjo nuk mund të bëhet pasi UÇK luftoi për tërësinë territoriale të Kosovës!

“Ambasadori Richard Grennell vazhdon të promovojë ndarjen e Kosovës ose atë që quhet ndryshim kufijsh e shkëmbime territoresh me Serbinë, si të vetmen zgjidhje të konfliktit shqiptaro-serb. Ai kritikon ashpër ish-kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe e akuzon atë se “bashkëpunoi me ish-kryeprokurorin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë për shpalljen e akuzës kundër Hashim Thaçit në fillim të qershorit 2020, me qëllim parandalimin e nënshkrimit të marrëveshjes së tillë në Uashington. Disa javë para shpalljes së asaj akuze kundër Thaçit, në Berlin ishin kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ai i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Këta tre të fundit shihen në një foto duke u marrë me hartën e Ballkanit në përpjekje për t’i shpjeguar zonjës Merkel dhe zotit Macron se vijat ndarëse të kufirit nuk përbëjnë problem as për dy vendet në fjalë, as për Bashkimin Evropian dhe as për rajonin.

Dy shqiptarë, Rama dhe Thaçi dhe një serb, Aleksandër Vuçiq, ishin bërë bashkë që të bindin dy më të fuqishmit e Bashkimit Europian për ndarjen e Kosovës. Tani Grennell thotë se sërishmi do të rikthejë në pushtet Thaçin, dhe se ai do ta ruajë pushtetin e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq, me qëllim që të rikthehet koha e gërshërve mbi Kosovën. Pra, se do ta largojë Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin nga pushteti, me qëllim që pasuritë e Kosovës t’i jepen Serbisë. Dhe ka jo pak analistë, politikanë e njerëz të tjerë publikë që promovojnë të njëjtin projekt në mediet shqiptare. Madje ky projekt, megjithëse burimin e ka në Beograd, reklamohet në mediet e Shqipërisë e të Kosovës shumë më tepër se në ato të Beogradit. Nuk është kjo një rastësi, por është një përpjekje për të bindur shqiptarët për “të mirat që vijnë nga falja e territoreve dhe pasurive të Kosovës – Serbisë”!”, ka theksuar ai.

Profesori ka thënë se në mesin e atyre që duan “shkëmbim territoresh”, pra ndarjen e Kosovës, që do të thotë faljen Serbisë të pasurive të saj, ka jo pak nga ata që mburren se kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Udhëheqës i këtij koncepti dhe kësaj kategorie është ai që thotë se ka qenë Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi. Por paradoksi është se këta mburren se “kanë luftuar për çlirimin e Kosovës”! Mburren se kanë qenë “luftëtarë të lirisë dhe madje të bashkimit kombëtar”! E janë pikërisht këta që sot e thonë me mburrje se “Unë jam për shkëmbimin e territoreve”! D.m.th se është për ndarjen e territorit të vendit dhe faljen e pasurive të tij vendit me të cilin ata kanë luftuar për çlirim. Nuk ka rast të dytë në botë ku çlirimtarët bëjnë propagandë për t’i dhënë territore armikut me të cilin ata kanë luftuar! Eshtë rast unik për studime speciale! Se lufta për çlirim nuk bëhet për një pjesë të atdheut dhe që pjesën tjetër t’ia japësh armikut me të cilin lufton”!

Ka ndodhur që çlirimtarët të riorganizohen e rezistojnë kundër kompromiseve të “paqësorëve”, por jo e kundërta. Në Kosovë po ndodh e padëgjuara ndonjëherë. “Kreu” i çlirimtarëve është protagonist i ndarjes së vendit të tij dhe pas tij shkojnë idhtarët e vet. Nëse organizatat e veteranëve duan të dëshmojnë se nuk kanë luftuar për interesat e tyre për pasuri e për pushtet, do të duhej me kohë ose edhe në këto kohë të deklaroheshin kundër këtyre “armiqve” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe mos harrojmë: - Mund të bësh njëmijë të mira për t’u bërë i mirë në këtë botë, por me një të keqe i humbet të gjitha të mirat që ke bërë! Prandaj duhet kujdes në jetë, se gjithçka shënohet në historinë njerëzore e kombëtare”, ka potencuar ai.

Megjithatë, Bytyçi ka thënë se tashmë është vonë realizimi i planit të ndarjes së Kosovës edhe nëse Grennell bëhet sekretar shteti.

“Por le të kthehemi thelbi, te mundësia e rikthimit të opsionit për shkëmbim territoresh dhe ndarjen e Kosovës. Unë besoj se tashmë është shumë vonë për ta realizuar planin e ndarjes së Kosovës, edhe nëse Richard Grennell bëhet sekretar Shteti i SHBA-ve e po të dojë president i SHBA-ve! Periudha 2017-2020 ishte periudhë e volitshme për këtë, sepse oponioni publik shqiptar ende nuk e dinte se për çfarë bëhet fjalë. Madje edhe opozita e Kosovës ishte disi e paqartë dhe si në mjegull. U desh që në Tiranë të aktivizohet autoriteti i Sali Berishës dhe që në Prishtinë të vetëdijesohej kryeministri Haradinaj, që kjo iniciativë të dështonte. Sigurisht që faktori Merkel ishte vendimtar! Por edhe fakti se politika në Kosovë nuk ishte unike”, ka thënë ai.

Bytyçi ka rikujtuar se sot opinioni publik e konsideron një akt të tillë si “akt tradhtie”.

“Kushdo që guxon dhe firmos ndarjen e Kosovës mund përballet me një rezistencë të shqiptarëve. Edhe nëse Grennell ia arrin ta rrëzojë nga pushteti Albin Kurtin, Kurti në opozitë do të ishte akoma më i frikshëm për plane të tilla, sesa në pushtet. Në këtë rast do të kishte motive shtesë që shqiptarët të reagojnë për mbrojtjen e tërërsisë territoriale të atdheut. Sepse gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të Kosovës është më i shtrenjtë sesa nderi dhe gjaku i tradhtarëve të atdheut”, përfundoi ai.

Read Entire Article