Robëria në Gaza, si ‘ruletë ruse’

10 months ago 37
12:33 12/12/2023

Pengjet e liruar bëjnë thirrje që lirimi i personave të tjerë që mbahen nga Hamasi të jetë tanimë përparësi

Izraelitja Sharon Alony-Cunio mbijetoi 52 ditë si peng në Gaza së bashku me dy vajzat e saj të vogla, përpara se të lirohej në një marrëveshje shkëmbimi Izrael-Hamas. Por ajo ka frikë për bashkëshortin e saj i cili ende mbahet rob.

Në intervistën e saj të parë që nga lirimi i saj, Alony-Cunio, 34 vjec, tha për Reuters se ajo dhe binjakët e saj tre vjeçarë, Julie dhe Emma, u ndanë tre ditë para se të liroheshin nga robëria e Hamasit më 27 nëntor dhe para se të rifillonin luftimet.

Duke folur nga shtëpia e prindërve të saj ku ajo ka qëndruar që nga lirimi, Alony-Cunio tani lutet që lirimi i pengjeve të jetë një përparësi kryesore.

“Çdo minutë që presnim është si një ruletë ruse. A do te jetojmë apo jo. Dhe kushtet janë të vështira, kushte në të cilat askush nuk duhet të jetojë, as fëmijët apo të rriturit. Ne pamë që shumë kanë humbur jetën në robëri. Kështu që çdo moment është kritik dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për të vendosur para çdo gjëje qëllimin për lirimin e të gjithë pengjeve.”

Alony-Cunio ishte një nga 240 personat e marrë peng më 7 tetor nga persona të armatosur të Hamasit, të cilët shpërthyen kufirin me Izraelin dhe vranë rreth 1200 njerëz. Militantët që pushtuan kibutin e saj, Nir Oz, i cili ndodhet pak më shumë se një milje larg Gazës, i vunë zjarrin shtëpisë së saj dhe i morën.

“Na dogjën shtëpinë dhe ne duhej që, para se të mbyteshim nga tymi, të largoheshim nga dritarja, pa e ditur nëse do të qëllonin mbi ne. Davidi doli jashtë, ai nxori Xhulin, pashë terroristët që vinin dhe i bërtita që të ikte dhe më pas mbylla derën më pas na morën edhe askush nuk dinte gjë për ne.”

Ajo u dërgua përtej kufirit me burrin e saj David dhe një nga vajzat e tyre binjake, tha ajo. Vajza e tyre e dytë u mbajt veçmas në Gaza për 10 ditë përpara se ata të ribashkoheshin në robëri me 12 pengje të tjerë në kushte të vështira, veçanërisht për fëmijët.

“Ndonjëherë kur kishte ndërprerje të energjisë na linin të hapnim derën dhe tërhoqën perden dhe më pas ne duhej të pëshpëritnim. Si ta mbani një vajzë të vogël pa ushqim pa ujë për 12 orë?  Çdo ditë kishte të qara, zhgënjim, ankth dhe thonim sa kohë do të qëndrojmë këtu? Na kanë harruar? A kanë hequr dorë nga ne? Ishte përtej imagjinatës.”

Pritja për t’u lejuar për të shkuar në tualet ishte një problem për vajzat, tha ajo, kështu që ata duhej të përdornin një lavaman dhe një kosh mbeturinash. Ndonjëherë u duhej t’i mbanin vajzat që as mos qanin dhe as mos pëshpërisnin nga frika se mos i vrisnin.

Grupi i pengjeve sipas Alony u zhvendos disa herë pasi ushtria izraelite zbuloi tunelet nëntokësore. 34 vjeçarja refuzon që të tregojë më shumë detaje nga periudha e errët mbi 50 ditë nën robërinë e Hamasit.

“Mendoj se të kthyerit kane trauma të cilat do të mbeten gjithë jetën. Pamundësia për të fjetur, ankthi janë shkaktarët. Të folurit në heshtje është e vetmja gjë që na kanë mbetur në mendje.”

Një armëpushim shtatë-ditor bëri që më shumë se 100 pengje të liroheshin me ndërmjetësimin e Katarit. Pjesa tjetër ende mbahen nga militantët e Hamasit pa një vendodhje të saktë, ndërsa Izraeli bombardon Gazën. Shumë familje të 138 pengjeve janë ende në Gaza, emrat dhe fotot e të cilëve në postera janë vendosur nëpër rrugët e Izraelit.

Klan News


Read Entire Article