“Rrezik i madh”, vjen alarmi pas aksionit të fundit në veri: Sulmet janë të pritshme!

1 month ago 10
Reklamë

Raportet Kosovë-Serbi vazhdojnë të jenë të tensionuara.

Serbia tash e një kohë refuzon të zbatojë marrëveshjet e arritura me Kosovën, madje as nuk dëshiron marrëveshje të reja.

Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk po rri “duarkryq”, ajo po merr vendime për shtrirjen e sovranitetit edhe në pjesën veriore të vendit, pavarësisht se shpesh nuk po gjen mbështetje nga aleatët.

Së fundi, Policia e Kosovës mbylli tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Pook.

Zyrtarë policorë thanë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Ndonëse ligjërisht ky veprim ishte korrekt, politikisht duket se po iu pengon ndërkombëtarëve dhe Serbisë.

Pas këtij, aksioni policor janë shtuar zërat se mund të jetë përshkallëzim të situatës dhe raporteve Kosovë-Serbi.

 “Veprimet e pakoordinuara të Kosovës përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Madje, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq përmeni edhe mundësinë e një konflikti ushtarak.

E për këtë çështje, për “Bota sot” folën ekspertët e sigurisë, të cilët dhanë këndvështrimet e tyre.

Halimi: Përpjekja për vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Kosovës do duhej të gjente mbështetje

Image

Armend Halimi

E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Si fillim, ai tha se këto përpjekje për vendosje të rendit dhe ligjit në veri, do duhej të mbështeteshin, si nga partitë politike në vend, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Sipas tij, nëse do të përkraheshin këto aksione, atëherë kërcënimet e Vuçiqit nuk do qonin peshë të madhe.

 “Përpjekja për vendosjen e rendit dhe ligjshmërisë në gjithë territorin e Kosovës do duhej të gjente mbështetje, në radhë të parë nga gjitha partitë politike, pastaj bashkësia ndërkombëtare, e kur do ishte kështu, atëherë kërcënimet e Vuçiqit ndoshta nuk do të kishin ardhur në shprehje”.

Krahas kësaj, shtoi se përmes kritikave, ndërkombëtarët po i japin të drejt presidentit serb, ku natyrisht që më pas janë të pritshme edhe sulmet dhe tentativat për konflikte.

 “Përndryshe, e kundërta e kësaj, pra duke kritikuar Kosovën, po i jepet e drejtë Vuçiqit, pastaj edhe janë të pritshme edhe sulmet, apo përpjekjet për konflikte, gjë që nuk do duhej të ndodhte kjo”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Gecaj: Këto veprime të Qeverisë së Kosovës si edhe në të kaluarën në veriun e Kosovës, në aspektin ligjor janë veprime të zakonshme

Kurse, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj vlerësoi se këto aksione të policisë janë të zakonshme, po për faktin se ndodhin në veri, mund të nxisin edhe tensione.

Image

Hysen Gecaj

Ai tha se mund të ketë pasoja të rënda për Kosovën, kjo pasi ndërkombëtarët nuk po e cilësojnë si veprim të duhur, për këtë potencoi se duhet të gjendet një moment më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtij problem.

 “Këto veprime të Qeverisë së Kosovës si edhe në të kaluarën në veriun e Kosovës, në aspektin ligjor janë veprime të zakonshme, mirëpo meqenëse veriu është problem politik, na del se ndërhyrja në mbylljen e postave ilegale atje do të shkaktojë pasoja të rënda politike për Kosovën në raportet me shtetet e QUINT-it. Këto pasoja sigurisht që kanë një arsye nga këndvështrimi ndërkombëtarë e sidomos ai i SHBA të cilët janë thellë të shqetësuar për përkeqësimin e sigurisë në këtë pjesë të Evropës e cila në këto momente e ka më se të domosdoshme ruajtjen e qetësisë, qoftë edhe si një situatë qetësie deri në një moment më të përshtatshëm për ta zgjidhur përfundimisht”, nënvizoi eksperti.

Po ashtu, Gecaj kërkoi nga Qeveria e Kosovë që të kërkojë zbatimin e tërësishëm të marrëveshjes me Serbinë, dhe të mos nxjerr temat në mënyrë skeleteve, pasi mund të ketë përshkallëzime.

Ai kërkoi koordinim dhe bashkëpunim me ndërkombëtarët.

 “Në sytë e ndërkombëtarëve, SHBA dhe shtetet tjera të QUINT-it, Kosova po e portretizon veten si shtet jokredibil, pra të cilit nuk mund t’i besohet ngase një projekt siç është Kosova shtet, është meritë edhe e këtyre fuqive të mëdha prandaj veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës jo vetëm që janë mesazhe mosbesimi, por Kosova po portretizohet edhe si kërcënuese e minoritetit serb në veri. Kjo për shkakun se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë një marrëveshje të cilën e kanë pranuar të dyja palët, e ku parashihen edhe problemi i urës së Ibrit por edhe çështja e postave, bankave, etj., dhe në vend që të insistohet në zbatimin e tërësishëm të pakos së marrëveshjes, Qeveria e Kosovës nxjerr çështje veç e veç nga kjo pako dhe në këtë mënyrë rritë numrin e temave të cilat bartin rrezik më të madh për dështim dhe për konflikte lokale. Këto konflikte paraqesin problem për SHBA dhe perëndimin në përgjithësi, sepse ata janë të vetëdijshëm për mandatin e KFOR-it dhe pasojat që do të barteshin tek NATO në rast konflikti”, shtjelloi ai.

Në fund, eksperti shtoi se ekziston rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë, kjo duke parë edhe sigurinë e brishtë botërore, ku po zhvillohen disa luftëra, siç është ajo në Ukrainë.

Gjithashtu, nënvizoi edhe lidhjet e Serbisë me Rusinë, dhe tentativat e kësaj të fundit për nxitje të një konflikti të ri në Ballkan.

Nisur, nga kjo, ai i cilësoi si shumë serioze reagimet ndërkombëtare ndaj vendimit të fundit të qeverisë sonë.

 “Ky veprim i Qeverisë së Kosovës në këto momente të ndjeshme për sigurinë botërore, është me apo pa vetëdije trasim i rrugës për një konflikt në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila edhe ashtu është nën presionin e madh rus që ta hap një front të ri në Gadishullin Ilirik, në mënyrë që ta tërheq vëmendjen nga lufta në Ukrainë. Nuk mendoj që Serbia është e gatshme për një front lufte edhe përkundër presionit rus për ta bërë këtë gjë, mirëpo Serbia si aleate ruse në këso rrethanash mund të ndërmarr hapa të një konflikti të kontrolluar dhe kufizuar nga Qeveria Serbe. Edhe një konflikt i këtij niveli është problematik për NATO-n në rajonin e trazuar, prandaj edhe reagimi i shteteve të QUINT-it kundër veprimit të Qeverisë së Kosovës e sidomos reagimi i Ambasadorit Amerikan është tejet serioz. Në prizmin ndërkombëtar, duke analizuar rreziqet për sigurinë dhe peshën e konfliktit shqiptaro-serb, konflikt ky që për kah rëndësia e shteteve të fuqishme nuk është prioritet, çfarëdo veprimi i ngutshëm dhe i pamatur i Qeverisë së Kosovës prodhon pasoja për Kosovën, meqenëse skenarët e këqij ndodhin brenda territorit të Kosovës, me akter Qeveria e Kosovës”, përmbylli Hysen Gecaj për “Bota sot”.

Read Entire Article