Rrëzimi i kërkesës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, avokatët e Berishës: Do ta depozitojmë sërish

9 months ago 17
13:26 29/12/2023

Mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha ka shkuar në Gjykatën e Posaçme për të marrë vendimin e arsyetuar të gjyqtares Rudina Palloj që rrëzoi kërkesën e tyre për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes.

Lajmin e ka bërë me dije gazetarja Klan News, Glidona Daci, e cila shton se avokatët kanë theksuar se brenda orarit zyrtar do të depozitojnë sërish kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i dosjes në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Avokatët e Berishës duhet ta dorëzojnë sot kërkesën pasi ditën e nesërme do të mbahet seanca për vendimin e masës së ish-kryeministrit.

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme e pati të pamundur dje të dilte me një vendim në lidhje me kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha, nga detyrim për t’u paraqitur, në atë të “arrestit të shtëpisë”. Pas një seance që zgjati fare pak, gjykata vendosi që vendimin për kërkesën e SPAK ta japë të shtunën në orën 12:00.

Shkak u bë kërkesa e avokatëve të ish-kryeministrit për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me argumentin e njëanshmërisë në këtë çështje. Për mediat, avokati Genc Gjokutaj tha se janë duke grumbulluar provat që e tregojnë këtë pretendim.

SPAK kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë për Berishën me argumentin se ai nuk zbatoi detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore sipas vendimit të dhënë në tetor nga e njëjta gjykatë.

Ish-kryeministri po hetohet për dyshimet se është përfshirë në korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani./tvklan.al


Të ngjashme

Read Entire Article