Rusia sulmon Ukrainën me raketa dhe dronë, raportohen dëme në gjithë vendin

10 months ago 17

Rusia ka sulmuar me dronë dhe raketa lundruese Ukrainën mbrëmjen e së enjtes dhe mëngjesin e së premtes, përderisa dëme janë raportuar në mbarë shtetin.

Në qytetin perëndimor të Lvivit, një ndërtesë e infrastrukturës kritike është goditur nga një sulm me dron, tha kreu i qytetit, Andriy Sadovyi, përmes një postimi në Telegram.

Në Odesa në jug të Ukrainës, mbetjet e një droni të rrëzuar shkaktuan zjarr në një ndërtesë të lartë. Në Harkiv, në verilindje, po ashtu ka pasur disa shpërthime pas sulmeve me raketa.

Ende është e paqartë nëse ka viktima nga këto sulme.

Sadovyi tha se Lvivi u sulmua me mbi 10 dronë kamikazë Shahed, të prodhimit iranian.

Në rajonin Sumi, në verilindje të Ukrainës, si pasojë e një sulmi me raketa në qytetin Konotop u plagosën tre persona dhe u dëmtua një ndërtesë banimi dhe një punishte.

Gjatë natës, Harkivi u sulmua me mbi 10 raketa. Ende nuk ka informacione për viktima si pasojë e sulmeve ruse në këtë qytet. Por, guvernatori Oleh Syniehubov, tha se duhet të verifikohen dëmet e shkaktuara nga sulmet.

Një valë e dytë e sulmeve ajrore pasoi mëngjesin e së premtes. Sirenat për sulme ajrore u lëshuan në mbarë Ukrainën dhe banorët u udhëzuan që të shkojnë në strehimore.

Kievi dhe qyteti industrial, Dnipro, po ashtu u shënjestruan nga sulmet ruse. Shpërthime janë raportuar në dy qytetet, ku jetojnë mbi 1 milion banorë.

Me ndihmën e Perëndimit, Ukraina po mbron veten nga pushtimi i paprovokuar i nisur nga Rusia mbi 22 muaj më parë.

Top Channel

Read Entire Article