Rutte: Do të punojmë që KFOR të ketë forcat e nevojshme për të mbajtur mjedis të sigurt në Kosovë

2 hours ago 20

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të premten se aleatët do të vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni i KFOR-it në Kosovë të ketë forcat dhe burimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Ai i bëri këto komente gjatë një konference për shtypin në përfundim të takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, gjatë të cilit është diskutuar edhe për operacionin e aleancës në Kosovë.

“Në Kosovë, aleatët vazhdojnë të punojnë së bashku për të siguruar që misioni ynë i KFOR-it të ketë forcat dhe burimet që i nevojiten për të mbajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë”, tha ai.

Sekretari Rutte një ditë më parë ngriti shqetësimet për mungesën e përparimit në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

“Do të thotë se ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për tensionet në Ballkanin Perëndimor dhe faktin se procesi i dialogut mes Prishtinë dhe Beogradit nuk është duke ecur siç do të dëshironim…”, tha ai.

Aktualisht mbi 4 mijë e 400 trupa të udhëhequra nga NATO-ja kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe përgjatë vitit që lamë pas, aleanca shtoi praninë e saj pas tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Kosova është gjetur nën kritikat e diplomacisë perëndimore për ato që janë cilësuar veprime të njëanshme dhe të pabashkërenduara në veri ku autoritetet mbyllën komunat paralele serbe të emëruara nga Beogradi, të cilat Prishtina i cilëson të paligjshme.

Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të zgjedhin çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel, vazhdimi i të cilave pritet javën që vjen në nivel kryenegociatorësh.

Ambasadori gjerman në Prishtinë Jorn Rohde tha se shpreson që të dyja palët të lëvizin më shpejt në këto bisedime.

“Pritshmëritë tona janë që palët të përparojnë, duhet të flasin me njëri tjetrin dhe të kenë vullnetin politik për të arritur përparim, sepse për momentin nuk ka shumë përparim në dialog. E di që ka zgjedhje, por ne gjithmonë kemi zgjedhje diku”, tha ai.

Ambasadori Rohde tha se është e rëndësishme për gjithë rajonin që të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Dhe jam i sigurt se zoti Lajçak dhe ekipi i ri në Komision duan përparim. Në fund, qëllimi përfundimtar është anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian dhe të gjithë e dinë se mund të arrihet vetëm nëse kemi normalizim. Dhe pa normalizim, nuk është i mundur anëtarësimi”, tha ambasadori Rohde.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në NATO Julianne Smith, tha se përparimi në procesin e bisedimeve është thelbësor në proceset integruese të Kosovës në strukturat euro-atlantike. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë, e pyetur për kërkesën e autoriteteve të Kosovës për përfshirje në programin e Partneritetit për Paqe me NATO-n, ambasadorja Smith tha se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura të shohin vullnetin e Kosovës për anëtarësim…

“Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë na kanë dëgjuar zëshëm dhe qartë. Ne duam që ata të vazhdojnë të angazhohen në dialogun e lehtësuar e të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Kjo është diçka që si aleatët e NATO-s dhe vendet anëtare të BE-së e mbështesin fuqishëm. Ata kanë përkushtimin tonë të plotë për të qëndruar të angazhuar në rajon dhe për të bërë çfarë mundemi për t’i ndihmuar ata të krijojnë qëndrueshmëri më të madhe në fqinjësi”, tha ajo.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime 13 vjeçare për normalizimin e marrëdhënieve që kanë shënuar përparim të paktë, ndërsa një marrëveshje për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar as që ka filluar të zbatohet./VOA

Read Entire Article