S’ka zgjedhje të parakohshme, frika e AAK-së dhe LDK-së zgjat deri në fund mandatin e Kurtit

4 months ago 12

Ditë më parë kryeministri Albin Kurti, ftoi në takim krerët e opozitës për të diskutuar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Por, në atë takim mori pjesë vetëm kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kurse, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj nuk morën pjesë.

Në atë takim sipas dy protagonistëve, mes tjerash ishte diskutuar që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Por, një gjë të tillë nuk po e pranojnë LDK dhe AAK, me arsyetimin se Kurti duhet të jap dorëheqje vet nga posti i kryeministrit.

Derisa, edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i ka dërguar letër Haradinaj për të mundësuar shpërndarjen e Kuvendit, por ky i fundit, nuk ka pranuar me arsyetimin se Kurti ose duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet.

“Në përgjigje të letrës së kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, shpreha qartë se rrugëdalja e vetme nga kriza në vend, është një platformë e përbashkët për qeverisje, pa Kurtin. Kjo sepse Kurti dhe qeveria e tij, janë fajtore për gjendjen e krijuar, e në këtë kontekst, Aleanca nuk lëviz nga qëndrimi që kjo Qeveri duhet ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje, ose me shkarkim, e jo të amnistohet me vet-shpërndarje të Kuvendit”, shprehej Haradinaj.

Nga ana tjetër, Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në konferencën për media të mërkurën ka theksuar se partia që ai drejton ishte e gatshme për zgjedhje të parakohshme, derisa përmendi datat që ata kishin propozuar, 30 qershorin ose 7 korrikun.

Ai tha se në ditën e fundit të mundësisë për shpërndarje të Kuvendit, kjo mundësi është ezauruar, pasi PDK-ja nuk gjeti mbështetjen e dy partive tjera opozitare LDK-së dhe AAK-së.

Krasniqi madje tha se ka mbetur i habitur nga dy partitë opozitare, derisa tha se dorëheqja e Kurtit që është kërkuar nga LDK dhe AAK, edhe nga ta si parti do të ishte më e preferuar, por që mundësia në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit.

“PDK propozoi edhe dy data për zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sot ashtu siç e kam cekur si afat në letrën dërguar liderëve, ndjej keqardhje për qaytetarët. Ju njoftoj se mundësia tashmë është ezauruar, thirrja e PDK-së për koordinim mes partive politike nuk ka gjetur mbështetjen e mjaftueshme. Mund të hamendësoj për arsyet e partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje, por jam i habitur nga partitë opozitare. Mos shkuarje në zgjedhje ja zgjat mandatin pushtetit aktual. Edhe për ne dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar, por mundësi reale në tavolinë ishte shpërndarje e Kuvendit”, tha Krasniqi.

Mehmeti: Haradinaj është njeriu që ka dështuar në politikë

Image

Faton Mehmeti

Analisti Faton Mehmeti në një përgjigje ka thënë se  Haraidnaj po harron se populli vendos se kush do ta qeverisë vendin.

Sipas tij, opozita e tanishme e ka humbur rrugën dhe Haradinaj, në këtë rast ka dështuar në politikë.

“Ramushi vazhdon të sheh ëndrra me sy hapur, thua se ai e vendos se kush qeverisë me vendin. Po harron se është populli, vota e tij që përcakton fituesin dhe kush qeverisë. Fatkeqësisht nuk është mbushur mend ende kryetari i AAK, që duket se po i vjen fundi në politikë. Sa më shumë që bën deklarata të tilla aq më shumë shtohen votat për Kurtin, opozita po bën fushatë në favor të Albinit me veprime të tilla.

Kjo opozitë e ka humb rrugën, Ramushi është njeriu që ka dështuar në politikë. Zgjedhjet e ardhshme do i japin goditjen përfundimtare ish luftëtarit të zoti që kurrë nuk u bë politikan i suksesshëm”, theksoi ai për “”Bota sot”.

Burjani: AAK është kompani private e Haradinajve

Image

Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani nënvizon se AAK është kompani private e Haradinajve.

Sipas tij, opozita po duan që të gjithë të bëhen bashkë kundër Kurtit, dhe sipas gjitha gjasave Kurti do të mbetet në opozitë nëse nuk arrin t’i bëjë numrat për të formuar qeverinë.

“Po Ramushi ka ambiciet e tij politike dhe kalkulon interesat e tij, kur dihet se AAK është kompani private e Haradinajve, pra ky subjekt politik është regjistruar si parti politike edhe në nivelin nacional nuk ka rëndësi ndikimi, pra ideja që të gjithë të bëhen bashkë kundër një qeverie Kurti, tingëllon zëshëm për bojkot pas zgjedhjeve çfarëdo koalicioni me Kurtin, tash ideja është për ta larguar Kurtin, gjasat mund të jenë, edhe pse kushtetuta është e qartë së pari i ofrohet mundësia partisë që ka dal e para për të tentuar për të bërë qeverinë pastaj rrugët hapen me precedent të fundit të gjykatës që nxjerr aktgjykime, pra gjasat janë që Kurti të mbetet në opozitë nëse nuk i bën numrat për të bërë qeverinë, mendoj që LDK ka favore më të mëdha të bëjë qeverinë me të tjerët nëse Kurti dështon”, përfundon ai për “Bota sot”.

Read Entire Article