Samiti BE-SHBA-BP në Shkup. Brukseli: Bllokimi i fqinjëve do të ketë kosto

8 months ago 9
15:34 22/01/2024

Për të diskutuar sesi do të ndahen 6 miliardë Euro që BE ka vendosur në dispozicion të Ballkanit Perëndimor si pjesë e planit ekonomik të rritjes, të 6 liderët e këtij rajoni u mblodhën në Shkup. Përfaqësuesi i BE-së, Gert Jan Koopman, por edhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit James O’Brien që ishin pjesë e këtij takimi rajonal u kujdesën t’ju thonë liderëve ballkanik se çdo tentativë për të bllokuar fqinjtë do të ketë kosto ekonomike për vetë ata.

Gert Jan Koopman: Nuk do të ketë mundësi për t’u bërë pjesë e tregut të përbashkët europian nëse tentoni të bllokoni fqinjtë tuaj.

James O’Brien: SHBA ka dhënë 200 mln Dollarë për rajonin tuaj, por tani jemi fokusuar që t’ju ndihmojmë të përfshihen të gjithë në tregun e vetëm rajonal.

Kryeministri Rama më optimist se në çdo takim tjetër u përpoq të flasë për rëndësinë që ka më shumë sesa miliardat që BE vendos në dispozicion të rajonit, përfshirja në tregun e përbashkët europian dhe flet me shifra për përfitimet që ka nga ky anëtarësim.

“Në integrimin në tregun e përbashkët europian, vetëm nga ndryshimi i regjimit të transaksioneve financiare që bëjnë qytetarët, parashikohet të mund të kursejnë mbi 20 mln euro në vit. Janë shumë të tjera që do i ndihmojnë shumë ekonomisë bizneseve, etj.”, tha ai.

Rama nuk lë pa përmendur faktin se nëse do të ishin bërë bashke në nismën e Ballkanit të Hapur, nuk do të kishin humbur kohë dhe do të ishin gati teknikisht për t’u bërë pjesë e këtij tregu.

Takimi i Shkupit pati rëndësi dhe për faktin që për herë të parë në këtë format pas ngjarjes së Banjskës u ulën në një tryezë si në darkën e të dielës ashtu dhe në takimin e kësaj të hëne Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç.

Vetë Albin Kurti përveç gatishmërisë për të bërë çdo reformë që kërkohet nga BE për të përfituar nga Plani i Rritjes, kërkon nga Serbia pa përmendur emrin e saj që të heqë dorë nga planet që cënojnë sigurinë.

Rama në një komunikim me gazetarët lajmëroi që qeveria e tij po përgatit të mbajë në Tiranë një samit për Ukrainën që do të sjellë në vendin tonë dhe Presidentin Zelensky.

Nga plani i Komisionit Europian prej 6 miliardë Eurosh, 2 miliardë grante dhe 4 miliardë Euro kredi do të përfitojnë ato vende të rajonit tonë që do të përmbushin reformat e kërkuara nga Brukseli.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article