Samiti/ Kryeministri Rama: Integrimi europian kalon përmes atij rajonal. Ramë dakord për planin e ri të rritjes ekonomike

7 months ago 12
12:59 29/02/2024

Në konferencën për shtyp pas përfundimit të punimeve të samitit BE-Ballkani Perëndimor, Kryeministri Edi Rama deklaroi se vendet e rajonit duhet të bashkëpunojnë për tregun e përbashkët.

Në fjalën e tij krah eurokomisionerit Varhelyi, Rama tha plani i ri i rritjes ekonomike do të përshpejtojë anëtarësimin në BE të Shqipërisë por dhe vendeve të rajonit.

“Eurokomisioneri Varhelyi na ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit. Për herë të parë, të gjithë ne në Ballkanin Perëndimor biem dakord se Bashkimi Europian nuk po bën vetëm punën e zakonshme, por po shkon një hap më tej për t’u afruar me ne, për të na mbështetur në rritjen tonë ekonomike dhe integrimin tonë me një plan të ri të rritjes që në fakt është një nismë e konceptuar jashtë kornize.

Ky është rezultati i dialoigut, ky është rezultat i nxitjes nga ana jonë për t’u dëgjuar, për t’u kuptuar sa u takon vështirësive tona, argumenteve tona dhe ideve tona. Falë këtij shkëmbimi të ndërsjelltë pikëpamjesh kemi arritur këtë objektiv shumë të rëndësishëm për të futur në procesin tradicional të integrimit diçka të re që është konkrete dhe që mund të na çojë në një nivel tjetër shumë më shpejt.

Tani, plani i ri i rritjes është një platformë kyçe për të përshpejtuar hyrjen tonë në BE. Është një instrument që do ta bëjë këtë proces të prekshmë për njerëzit. Solla shembullin e kostos së transaksioneve financiare. Ne në Shqipëri kemi shumë njerëz që jetojnë jashtë. Dhe duke punuar jashtë ata vazhdojnë të ndihmojnë të afërmit e tyre, familjet, në atdhe. Për çdo para që dërgojnë, kostoja e transaksionit është 6 herë më e lartë krahasuar me koston e transaksionit midis shteteve anëtare të BE.

Plani i ri i rritjes do na lejojë të çojmë këtë kosto në të njëjtin nivel me atë të shteteve anëtare çka nënkupton se do të kursejmë vetëm me këtë gjysmë miliardi Euro, do të kursehen nga xhepat e qytetarëve tanë dhe do të kursehen nga kostot e bizneseve tona. Dhe kjo është një prej këtyre gjërave. Plani i ri i rritjes na jep mundësinë të kemi kushte dhe procese të njëjta me ato të shteteve anëtare. Këto gjëra kanë ndodhur kur një vend bëhej anëtar, tani ato po ndodhin përpara se sa të bëhemi anëtar”.

Plani i ri i rritjes ekonomike i BE-së për 6 vendet e Ballkanit ofron edhe më shumë financim për shtetet. Rama theksoi se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë pranuar dhe kanë rënë dakord për këtë plan të ri të rritjes ekonomike. Por kushti, theksoi Rama, është që vendet e Ballkanit të punojnë së bashku për tregun rajonal pa asnjë justifikim politik.

“Ana tjetër e planit të ri të rritjes është më shumë financim për projektet dhe buxhetet tona. Jam shumë i kënaqur që arritëm në këtë pikë, nuk ka qenë e lehtë, por është shumë shpërblyese. Nga ana tjetër, të gjitha ato përpjekje që kemi bërë përgjatë 10 vjetëve për të ecur drejt integrimit rajonal, tani përmes planit të ri të rritjes tanimë duhet të ndodhin pa ‘Por’ apo ‘Por’.

Integrimi europian shkon përmes integrimit rajonal, kjo nuk ka aspak diskutim. Të gjitha gjëpurat që kemi dëgjuar për Ballkanin e Hapur, është tashmë e ekspozuar si gjepura. Sepse kjo është rruga. Dhe tani me planin e ri të rritjes dhe sot patëm një deklaratë të përbashkët që të 6 vendet e Ballanit Perëndimor kanë rënë dakord që kjo është diçka që duhet ta bëjmë, dhe nuk ka rëndësi se çfarë problemesh politike kemi me njëri-tjetirn. Gjithësecili duhet ta harrojë se mund të marrë më shumë nëse nuk kontribuon 100% në tregun rajonal. E gjitha lidhet me sjelljen e çdo fqinji me fqinjin tjetër. Ja pse çështjet politike duhet të diskutohen mbi baza dypalëshe”, theksoi Kryeministri Edi Rama.

/tvklan.al


Read Entire Article