Sekuestrimi i pronës së bashkëshortit, Xhaçka: Vënia nën sekuestro, për të hetuar origjinën e një prone private

11 months ago 12
13:42 25/10/2023

“Berisha nuk mund t’i bëjë moral askujt”

Klan News raportoi këtë të martë se Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së jashtme, Olta Xhaçka iu sekuestruan 5515 metra katrorë si pasojë e një hetimi për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi.

Në lidhje me këtë çështje ishte Sali Berisha, që gjatë një konference për shtyp e komentoi dhe tha se nuk mund të krahasohet ky rast me arrestimin e Jamarbër Malltezit.

“Si mund të krahasosh ti këtë rast? Ti krahason Artan Gaçen që ka marrë investitorë strategjik qindra mijëra metra katrorë tokë publike dhuratë nga ministrja strategjikë me Begej dhe Malltezin që mori tokën e vet pas 50 vitesh të sekuestruar nga regjimi komunist. A mund të ketë krahasim këtu? Nuk mund të ketë”, tha Berisha.

Kjo ka sjellë reagimin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Në një postim në rrjetet sociale ajo shkroi se “një kusar me damkë dhe shpifës me nam si Sali Berisha nuk mund t’i bëjë askujt moral”.

Ish-ministrja thotë se bashkëshorti i saj nuk ka marrë asnjë metër katror nga shteti për investimin e tij privat dhe se vënia nën sekuestro preventive ka ndodhur prej disa javësh. Sipas Xhaçkës, kjo bëhet për të hetuar origjinën e një prone private që nga viti 1994, procesin e të cilit ajo thotë se nuk e komenton dhe nuk e dyshon në qëllim.

“Bashkëshorti im nuk ka marrë asnjë metër katror tokë nga shteti për investimin e tij privat dhe vënia nën sekuestro preventive prej disa javësh e një pjese te kantierit të investimit, për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994 është pjesë e një procesi që unë as e dyshoj në qëllim, as e komentoj në meritë. SPAK-u të bëjë punën e vet i papenguar nga askush, ndërsa Sali Berisha le të vazhdojë të lehë për të tërhequr vëmendjen nga pantallonat e rëna deri në fund”, u shpreh Xhaçka.


Sipërfaqja në fjalë, mësohet se është pjesë e tokës që Gaçi ka fituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.

Në fillim të këtij muaji, Gaçi u paraqit në SPAK për t’u marrë në pyetje në bazë të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme për këtë çështje, pas një kallëzimi të bërë nga Fredi Beleri. Ky i fundit e akuzon Gaçin se e ka përfituar këtë pronë në mënyrë të parregullt.

Kjo çështje po ashtu ka qenë herë pas here shkak për akuza nga ana e opozitës, që vitin e shkuar pati kërkuar heqjen e mandatit të Xhaçkës./tvklan.al








Të ngjashme

Read Entire Article