Serbët planifikojnë bllokimin e pikave kufitare, eksperti i sigurisë zbardh prapaskenat – ja çka mund ta përshkallëzoj situatën!

1 week ago 37
Reklamë

Kryetari i të ashtuquajturit Asociacionit të Qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviq, ka paralajmëruar se nga 6 shtatori, serbët do të organizojnë bllokada në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

Rojeviq tha se, bllokada do të zgjasë derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu i vendit.

“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviq.

Ndryshe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje të mërkurën vonë shtetasve të Kosovës dhe mërgatës që t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit, për shkak të, siç tha, paralajmërimeve për bllokimin e rrugëve në Serbi që çojnë drejt vendkalimeve kufitare këtë javë.

E në lidhje me këto paralajmërime për bllokime të pikave kufitare, ka folur në një prononcim për “Bota sot” eksperti i sigurisë Hysen Gecaj.

Fillimisht, tha se ky bllokim vjen si pasojë e zvarritjes së zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe përpjekjeve të dështuara të ndërkombëtarëve për t’i binduar palët për këtë gjë.

Po ashtu, tha se shtetit serb i përshtatet kjo zvarritje, pasi i shtohen mundësitë për destabilizimin e Kosovës.

Image

Hysen Gecaj.

“Paralajmërimi për mbylljen e pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë është pasojë e zvarritjes së zbatimit të marrëveshjes së Orit dhe Berlinit dhe pamundësisë së bashkësisë ndërkombëtare që t’i detyrojnë palën kosovare dhe atë serbe, në zbatimin e kësaj marrëveshje. Serbisë i lëverdisë një zvarritje e tillë sepse sa më shumë që shtyhet zbatimi i marrëveshjes, asaj i shtohen mundësitë për destabilizimin e Kosovës dhe përfitimet në favor të pakicës serbe në Kosovë”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Gecaj përmendi edhe perceptimin që ndikoi në ftohjen e raporteve të ndërkombëtarëve me Kosovën.

“Tani ky paralajmërim është në vijën e kësaj ideje sidomos pas disa veprimeve të qeverisë së Kosovës në veri, ku është përshfaqur percepcioni që qeveria e Kosovës po i kërcënon serbët në veri me polici të rregullt dhe njësi speciale. Ky perceptim solli deri te ftohja e raporteve të bashkësisë ndërkombëtare me Kosovën dhe njëherit edhe rastin që Serbia të paraqesë serbët si viktima të qeverisë Kurti”.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë beson se përshkallëzimi nuk mund t’i kalojë përmasat e një proteste qoftë edhe të dhunshme.

Kjo do të sjellë përshkallëzim në rast se faktori ndërkombëtar euroatlantik nuk ndërmerr masa të vendosura paraprakisht për parandalim ani pse kohëve të fundit kishim vizita të politikanëve të ndryshëm ndërkombëtar, diplomatëve si dhe përfaqësuesve të sigurisë nga NATO dhe CIA, por si duket kjo nuk është e mjaftueshme. Unë besoj se përshkallëzimi nuk mund t’i kalojë përmasat e një proteste qoftë edhe të dhunshme, mirëpo kjo e gjitha shkon në dëm të Kosovës, pasi që e gjithë ngjarja reflekton në të ardhmen e territorit të Kosovës”, përfundoi Hysen Gecaj për “Bota sot”.

comment

Read Entire Article