“Serbia e gatshme për marrëveshje dhe kompromise”, ‘zbulohet’ prapavija e deklaratës së kryeministrit serb

2 months ago 10
Reklamë

Serbia është e gatshme për marrëveshje dhe kompromise në bisedime me Kosovën, kështu ka deklaruar kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq një ditë para takimit të supozuar se do të mbahet në mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Vuçeviq ka shtuar se Serbia dhe shqiptarët duhet të jetë të kënaqur më mënyrë të barabartë, apo thënë më mirë të pakënaqur në mënyrë të barabartë

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje dhe kompromise, që nënkuptojnë se asnjëra palë të jetë fituese absolute apo humbëse absolute, por që Serbia dhe shqiptarët duhet të jetë të kënaqur më mënyrë të barabartë, apo thënë më mirë të pakënaqur në mënyrë të barabartë. Gjithçka tjetër nuk është dhe nuk mund të ketë qëndrueshmëri afatgjatë", ka deklaruar kryeministri serb.

Analistët politikë thonë se Serbia me deklarata të tilla të inskenuara, përpiqet rrejshëm të viktimizohet. Sipas tyre, kjo bëhet për të marrë fonde nga BE dhe SHBA.

“BE shpreson se Serbia do ta braktisë Rusinë e Kinën”

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se politika aktuale e BE-së dhe SHBA-së i konevnon shumë Serbisë.

Image

Blerim Burjani

“Kjo lojë e Serbisë bëhet për shkak se ka vërejtur se BE dhe SHBA nuk do të marrin masa të ashpra për rastin Banjsko, kjo politikë aktuale e BE dhe SHBA i konvenon shumë Serbisë. Sjelljet deklarative pozitive të rrejshme serbe bëhen për të marrë fonde nga BE dhe SHBA”, shprehet Burjani.

Burjani shton se BE e SHBA shpresojnë që Serbia ta brakisë Rusinë e Kinën, duke shtuar se ka lojëra politike për qëllime të qarta.

“Serbia nuk është marrë për veprime tjera të palogjikshme, kontraproduktive, kjo lojë politike deri më tash i ka sjellë dobi, në anën tjetër BE shpreson se Serbia do ta braktisë Rusinë e Kinën, njëjtë shpreson edhe SHBA. Pra, ka shumë lojëra politike që po bëhen edhe qëllimet janë të qarta. Deklarime formale e fraza politike përsëriten që një kohe të gjatë nga Serbia”, pohon analisti.

Ndaj, deklaratës së kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, ka reaguar edhe Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të serbëve të Kosovës, Rada Trajkoviq.

Sipas saj, deklarata e tij nënkupton përpjekje për ndarje të Kosovës, por edhe konflikte.

“Mirëpo, edhe pse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në thelb ia dorëzoi Prishtinës të gjitha institucionet dhe jetën e serbëve, funksionaliteti i autoriteteve të Prishtinës nuk u realizua. Mesazhet që tregojnë ndarjen e Kosovës paralajmërojnë destabilizimin e ri dhe një fushatë kundër Serbisë dhe serbëve, gjë që nuk na nevojitet në këtë moment”, tha Trajkoviq dhe theksoi se kryeministri Albin Kurti “kontrollon veriun e Kosovës me ndihmën e forcave speciale të rëndësishme policore dhe një administratë e imponuar që po kryen shqiptarizimin e Veriut”, ka deklaruar Trajkoviq.

“Serbia është shteti kriminal, që ka bërë gjenocid, jo vetëm në Bosnje e Kroaci, por edhe në Kosovë!”

Ndërsa, analisti Gani Qarri thotë se është e pakuptueshme deklarata e Vuçeviq, kjo për shkak se Serbia përveçse nuk i respekton marrëveshjet paraprake, ajo edhe është deklaruar se nuk do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

“Përderisa Serbia, edhe pas më tepër se një dekade bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE, jo vetëm nuk e heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës, por siç veproi herën e fundit, vet presidenti i saj, krimineli Vuçiq edhe vijon ta quaj "pjesë" të Serbisë, e madje përdor dhe epitetin më fyes të mundshëm, për poshtërimin e shtetit tonë të pavarur, si "krahina jugore", krimineli i cili derisa në Bruksel zhvillonte bisedime për marrëveshje me Kosovën në anën tjetër kidnaponte policët tanë kufitar e më vonë dërgoi edhe dhjetëra terroristët serb nga Serbia, të armatosur deri në dhëmbë, me të gjitha llojet e armatimeve, të zënë prita dhe vrasin policët e Kosovës në detyrë, nuk e di për çfarë kompromisi e ka fjalën ky idiot, përveçse të kalkuloj me shprehje të tilla, që ta shtyjë BE-në për mos-heqjen e masave ndëshkuese, edhe pasi Josep Borell u ka rekomanduar vendeve të BE-së, heqjen e tyre. Mbetet vërtetë e pakuptueshme se për çfarë marrëveshje apo kompromise mund ta ketë fjalën edhe kryeministri aktual Vuçeviq, kur Serbia përveçse nuk i respekton praktikisht asnjë nga marrëveshjet, ish kryeministrja Brnmabiq, në dhjetor të vitit të kaluar iu drejtua edhe me letër zyrtare si kryeministre e Qeverisë serbe, vendeve të BE-së, se Serbia nuk do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit as aneksin e Ohrit, do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk respekton integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, shprehet Qarri.

Image

Gani Qarri

Tutje, sipas Qarrit, Serbia është e shqetësuar sepse përkundër inskenimeve, BE po fillon heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës, po sheh gjendjen e veriut drejt stabilitetit, mundësinë e hapjes për qarkullim të Urës së Ibrit si dhe presionin e zbehur për asociacion.

“Përndryshe Serbia duke parë se BE, tanimë do të fillojë heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës, gjendja në veri të vendit tonë, po shkon me hapa të shpejtë drejt forcimit të stabilitetit përditë e më tepër, dhe bashkëpunimi i serbëve lokal, me institucionet e shtetit të Kosovës, është në rritje e sipër, frika se, së shpejti, mund të hapet për qarkullim edhe Ura kryesore e Ibrit, në Mitrovicë, për të cilën pajtohen edhe qytetarët e minoritetit serb, me çfarë, do të zbehej apo edhe merrte fund, presioni për të ashtuquajturin asociacion, kanë filluar ta shqetësojnë shumë Serbinë, se më në fund, përkundër të gjitha inskenimeve, do të ngelet me gisht ne gojë, për të mos thënë, edhe ashtu siç nuk thuhet, ndaj dhe bënë sikur tani është e gatshme të bëjë marrëveshje dhe kompromise me Kosovën. Për aq më tepër, uniteti i SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, për t’i ardhur në ndihmë me të gjitha mjetet Ukrainës, që ta fitojë luftën kundër trupave ruse, shkarkimi i Gabriel Eskobarit nga administrata e Presidentit Biden dhe ndërrimi i emisarëve të BE-së për dialogun Kosovë -Serbi, ka vënë në siklet të madh Serbinë, ngase ndërmjetësit e rinj, nuk duket të jenë aq pro-serb, si Eskobar, Lajçak e Borell, dhe pastaj nuk do të ketë më alternativë, përveçse tu nënshtrohet kushteve të bisedimit korrekt dhe luaj konformë rregullave ndërkombëtare, pa pasur me çfarë ta shantazhojë as Kosovën nga brenda, përderisa organizatat terroriste serbe janë ndaluar dhe kriminelët serb janë dëbuar nga Kosova, as Perëndimin me gogol të jashtëm, si Rusia”, deklaron analisti.

Vuçiq me deklarata të tilla të inskenuara, sipas Qarrit, po përpiqet ta paraqes rrejshëm si të viktimizuar Serbinë me shpresën se do ta bind faktorin ndërkombëtar edhe njëherë se Kosova është problematikja.

Ndaj edhe në grahmat e fundit të lojës së tij idioteske, megjithëse dihet mirëfilli nga të gjithë, se ajo që ka vuajtur gjatë gjithë kohës së dialogimit me Serbinë, është Kosova, Vuçiq po përpiqet me deklarata të tilla të inskenuara, ta paraqes rrejshëm, si të viktimizuar Serbinë, me shpresën se do ta bind faktorin ndërkombëtar edhe njëherë, se Kosova është problematikja, edhe pse dihet botërisht se Serbia vet, është shteti kriminal, që ka bërë gjenocid, jo vetëm në Bosnje e Kroaci por edhe në Kosovë!”, shton Qarri.

Ndryshe, të mërkurën e 26 qershorit është pritur një takim trepalësh në Bruksel, por kryeministri i Kosovës gjatë takimit dypalësh ka paraqitur tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, janë kushtet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Read Entire Article