Së fundi, gjenerali amerikan, Wesley Clark, ka qëndruar për vizitë në Kosovë, ku ka takuar liderët e vendit, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, presidenten Osmani, ministrin Maqedonci dhe të tjerë.
Kjo vizitë e gjeneralit amerikan u mirëprit mjaft mirë, pasi dihet qw Clark është një mik i madh i shqiptarëve e Kosovës.
Clark deklaroi se është krenar që e udhëhoqi fushatën 11-javore të sulmeve të NATO-s, për të ndalur okupimin serb në Kosovë.
Gjithashtu, ai në një intervistë, potencoi se Serbia duhet ta pranojë Kosovën dhe ta vijojë të ardhmen me pranimin e këtij fakti.
“Nuk më pëlqen të shoh tensione. Të gjithë diplomatët kanë thënë se po punojnë por shpresën që të ketë një zgjedhje, por Serbia duhet t’i njohë faktet dhe faktet janë që ka pasur krime, vrasje në Kosovë gjatë qeverisjes së Millosheviqit.
Ka pasur spastrim etnik si në Bosnje dhe në Kosovë pasi njerëzit janë sulmuar, vrarë, dhe nuk mund të kthehen dhe të jetojnë në paqe shumë thjesht me njëri-tjetrin. Serbia duhet ta pranojë Kosovën, ta pranojë të ardhmen pa Kosovën. Pse të mos kenë marrëdhënie të mira, turizëm dhe tregti me njëri-tjetrin. Të ndalojnë sulmet, e shkuara ka mbaruar”, tha ai.
E ky mesazh i gjeneralit amerikan ‘goditi’ presidentin serb, Aleksandër Vuçiq i cili reagoi menjëherë.
“Wesley Clark është krenar për atë që ka bërë, njerëzit në Serbi janë të indinjuar me atë që ka bërë. Nuk e kuptoj se në çfarë reflektohet kjo krenari e madhe kur 19 vende sulmuan një vend të vogël në kundërshtim me rregullat e OKB-së, Kartën e OKB-së dhe vendimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nëse i shërben nderit dhe krenarisë së tij, atëherë flet më shumë për të sesa për ne”, tha Vuçiq.
Mirëpo, si duhet parë kjo deklaratë e Clark, a ishte ‘goditje’ për Serbinë? Dhe, a është koha që shteti serb ta pranojë realitetin e Kosovës?
Mehazi: Personi më i dashur për qytetarët e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi është ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark
Sulejman Mehazi
E për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori Suljeman Mehazi.
Si fillim, ai e vlerësoi lartë gjeneralin Clark, duke potencuar rolin e tij të madh në çlirimin e Kosovës, si dhe dashurinë që shqiptarët kanë për të.
“Personi më i dashur për qytetarët e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi është ish-komandanti suprem i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i cili u prit duarhapur, me zemër e me shpirt në Prishtinë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe qytetarët kosovarë. Si mos të pritet, gjenerali Wesley Clark, aq me entuziazëm në Kosovë?, pasi ishte ai që me bombardime të pandërprera të avionëve luftarake të NATO- largoi hordhitë kriminale vrastare e gjenocidiale ushtarake e policore serbe të kasapit serb Millosheviqit”.
Gjithashtu, Mehazi e cilësoi si deklaratë bombastike atë në të cilën Clark ia bëri Serbisë e Vuçiqit, ku theksoi që të ndalojnë synimet ndaj Kosovës dhe ta njohin pavarësinë e saj sa më shpejtë.
“Ajka e vizitës së gjeneralit, Wesley Clark, në Kosovë ishte deklarata e tij politike bombastike, ku paralajmëroi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, që sa më shpejt të largohet nga dashuria e paraardhësit Millosheviqit, ndaj epsheve territoriale të Kosovës, duke ia bërë me dije se Kosova është sovrane dhe e mëvetësishme dhe se: “Serbia duhet ta pranojë Republikën e Kosovës dhe të pranojë që e ardhmja e saj është pa Kosovën””, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, profesori tha se paralajmërimet e Clark janë përkujtime ndaj bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, që Kosova kurrë më nuk do jetë serbe.
“Kuptimi i vizitës së gjeneralit të famshëm, Wesley Clark, në Kosovë dhe takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, për bashkëpunëtorët e kriminelit serb Millosheviqit Vuçiqin, Daçiqin janë paralajmërime përkujtuese se Kosova kurrë më nuk do jetë serbe, s'e përkujtimi është e kundërta e harresës së luftës së NATO-s dhe UÇK-s ndaj Serbisë gjenocidiale, se Kosova është Republikë më vete me qeveri, ushtri, polici e kufij të saj, se të kota janë përpjekjet territoriale serbe ndaj Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.
Burjani: Clark ka dhënë një deklaratë politike për të cilën na e vlerësojmë lartë
Blerim Burjani
Kurse, Blerim Burjani kritikoi Perëndimin dhe qasjen ndaj Serbisë, duke mos ndëshkuar dhe sanksionuar atë.
Sipas tij, nëse do ushtrohej presion i madh, shteti serb edhe do mund ta kishte njohur Kosovën deri tani.
“Serbia realisht nuk ka pasur presion real aktiv nga Perëndimi, përmes fondeve ekonomike, integrimeve evropiane apo edhe fondeve investive evropiane. Sikur, Gjermania të kishte kushtezuar investimet në Serbi, apo SHBA të ishin më të prerë për çështjen e energjisë dhe investimeve në këtë sektor, edhe do kishin mundur të imponojnë një realitet që Serbia ta pranojë njohjen e Kosovës, por këtë nuk e ka bërë asnjëherë”.
Ndërsa, Burjani vlerësoi lartë deklaratën e gjeneralit Clark që Serbia ta njohë Kosovën, derisa përmendi edhe reagimin e Vuçiqit.
“Është mirë që Vuçiqi ka reaguar ndaj deklaratës së Clark, së ka mundur të mos reagoj fare. Clark ka meritat e mëdha nga NATO dhe populli i Kosovës për çlirim, por tashmë nuk është çështje politike, ajo ishte çështje ushtarake. Pra, Clark ka dhënë një deklaratë politike për të cilën na e vlerësojmë lartë, ndërsa Vuçiqi nuk ka dasht të bombardohet Serbia dhe ndoshta sot Millosheviçi do ishte ende në skenën politike në Serbi”, përfundoi Blerim Burjani për “Bota sot”.