Serie A e ‘pushtuar’ nga shqiptarët

10 months ago 11
13:45 12/12/2023

Ismajli e Bajrami bindin, Etrit Berisha zhgënjen, pëson gol nga rreth 30 metra

Derbi kuqezi në Serie A mes Empolit dhe Leçe nuk prodhoi fitues, me dy skuadrat që ndajnë pikët në javën e 15-të pas barazimit 1-1. Një përballje e vërtetë mes futbollistëve shqiptarë, pasi tek toskanët luajtën, Berisha e Ismajli si titullarë dhe Shpendi nga stoli, ndërsa në radhët e Leçe qëndroi në fushë për 86 minuta, Ylber Ramadani, ndërsa në pankinë ishin Mërgim Berisha dhe Dermaku.

Plot gjashtë futbollistë në dy skuadrat e kampionatit italian, duke treguar dominimin kuqezi në radhët e tyre. Etrit Berisha ishte protagonist negativ, teksa pas disa ndërhyrjeve shpëtimtare, gaboi tek goli i kundërshtarëve. Goditja nga jashtë zonës e futbollistit të Leçe e kapi të papërgatitur gardianin 34-vjeçar. Një gabim që i kushton, pasi vlerësohet me notën 4.5.

Ndërkaq, siguri në mbrojtje garantoi Ismajli, që minimizoi aksionet e rivalëve për të merituar notën 6. Ndërsa, Stiven Shpendi i aktivizuar nga stoli në minutën e 41 nuk arriti të bëj diferencën në fushë për tu vlerësuar me gjysmë note më pak se Ismajli. Një motorr i vërtetë në mesin e fushës ishte, Ylber Ramadani. Mesfushori i kombëtares shqiptare tregoi edhe njëherë forcën, me mediat që e përshkruajnë performancën e 27-vjeçarit “nuk ka kursim në zemër të fushës, por në fund mbaron fuqia fizike”.

Ramadani u ndëshkua me karton të verdhë në këtë përballje, ç’ka solli edhe zëvendësimin në fundin e saj. Ndërkaq, minuta për Nedim Bajramin në humbjen me përmbysje të Sasuolës në transfertën e Kaljarit. 23-vjeçari hyri në fushë në minutën e 71, realizoi golin e dytë momental për skuadrën e tij, por u anulua për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, për shqiptarin një vlerësim me notën 6.5 duke qënë mes më të mirëve në fushë.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article