Kreu i byrosë politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, ka mbërritur në Kajro për bisedime me zyrtarët egjiptianë mbi zhvillimet e fundit në konfliktin Izrael-Gaza, tha Hamasi në një deklaratë sot në Telegram.
Haniyeh jeton në Katar dhe më parë ka bërë vizita të shpeshta në Turqi. Haniyeh u zgjodh për herë të parë lider i Hamasit në maj 2017 dhe fitoi rizgjedhjen në gusht 2021. Në janar të vitit 2018, SHBA-ja e caktoi Haniyeh si një Terrorist Global të Përcaktuar Posaçërisht.
Vizita e tij vjen pasi Izraeli deklaroi se kishte propozuar një pauzë njëjavore, në këmbim të lirimit të 40 pengjeve, një marrëveshje e ngjashme me atë muajin e kaluar që solli një armëpushim të përkohshëm.
Ndërkohë sipas OKB-së gjysma e popullsisë së Gazës përballet me urinë, ku banorët kalojnë ditë të tëra pa ngrënë nën bombardimet e Izraelit ndaj enklavës me më shumë se 2 milionë njerëz.
“Sasia e ndihmës që kalon në Gaza nuk plotëson një pjesë të nevojave”, tha Programi Botëror i Ushqimit (WFP) në një postim në X, dikur Twitter.
Vetëm 10% e ushqimit të kërkuar për Gazën ka hyrë në rrip gjatë 70 ditëve të fundit, tha Corinne Fleischer, Drejtoresha Rajonale e WFP për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Evropën Lindore, në një intervistë me CBC News të Kanadasë të dielën.
Dy javë më parë, WFP paralajmëroi se 97% e familjeve palestineze në veri të brezit dhe 83% në jug raportuan konsum të pamjaftueshëm të ushqimit.
Që atëherë, dhjetëra mijëra palestinezë të zhvendosur kanë mbërritur në skajin më jugor të Gazës, Rafah, në kërkim të sigurisë, sipas Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Të martën, WFP dërgoi pako ushqimore për 2,350 njerëz dhe ushqime të ngrohta për 1,750 të tjerë në Rafah, e cila është bërë zona më e dendur e populluar e Gazës, tha OCHA të mërkurën.
“Mijëra njerëz në Rafah rreshtohen përpara qendrave të shpërndarjes së ndihmës që kanë nevojë për ushqim, ujë, strehim dhe mbrojtje, mes mungesës së banjove dhe objekteve adekuate të ujit dhe kanalizimeve në vendet e zhvendosjes informale dhe strehimoret e improvizuara,” tha OCHA.
Human Rights Watch lëshoi një raport të hënën duke akuzuar Izraelin për përdorimin e urisë si një armë lufte në Gaza, duke e quajtur atë një “krim lufte.” Një zëdhënës i qeverisë izraelite e hodhi poshtë akuzën si një gënjeshtër dhe fajësoi Hamasin për mungesat.
Top Channel