SHBA-ja dhe Venezuela këmbejnë të burgosur

10 months ago 7

Shtetet e Bashkuara të Amerikës liruan një aleat të ngushtë të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, në këmbim të lirimit të 10 amerikanëve të burgosur në vendin e Amerikës Jugoredhe të kthimit të një të arratisuri të njohur si “Fat Leonard”,

Ky i fundit është në qendër të një skandali të madh të ryshfetit, njoftoi të mërkurën administrata Biden. Kjo marrëveshje është lëvizja më e guximshme deri tani e administratës së presidentit Joe Biden për t’i përmirësuar marrëdhëniet me prodhuesin e madh të naftës.

Lirimi më i madh i të burgosurve amerikanë në historinë e Venezuelës ndodhi disa javë pasi Shtëpia e Bardhë u pajtua për t’i pezulluar disa sanksione ndaj saj, pasi Maduro u zotua për të punuar për të mbajtur zgjedhje të drejta dhe të lira presidenciale më 2024.

Maduro e festoi kthimin në shtëpi të Alex Saab, duke e cilësuar si “triumf të së vërtetës ndaj një fushate gënjeshtrash, kërcënimesh dhe torturash të udhëhequr nga SHBA-ja” ndaj një personi që ai e vlerëson si diplomat venezuelas të arrestuar jashtëligjshëm bazuar në një urdhërarrest amerikan.

“President Biden, ne nuk do të jemi kolonia e askujt”, tha Maduro derisa ia organizoi Saabit një pritje prej heroi në pallatin presidencial.

Lirimi i Saab, i cilësuar për kohë të gjatë nga Uashingtoni si financues i Maduros, është një lëshim i madh i SHBA-së për Maduron. Administrata e ish-presidentit Donald Trump e kishte mbajtur Saabin si trofe, duke i shpenzuar miliona dollarë për ta ndjekur biznesmenin e lindur në Kolumbi, në një pikë madje duke e dërguar një luftanije të marinës në bregdetin e Afrikës Perëndimore pas arrestimit të tij në Kape Verde për ta parandaluar arratisjen e tij të mundshme.

Zyrtarët amerikanë thanë se vendimi i Bidenit për ta liruar atë ishte i vështirë, por i nevojshëm, në mënyrë që amerikanët e burgosur të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

“Këta njerëz kanë humbur shumë kohë të çmuar me më të dashurit e tyre, dhe familjet e tyre kanë vuajtur çdo ditë mungesën e tyre. Unë jam mirënjohës se vuajtjet e tyre kanë marrë fund”, tha presidenti Biden për amerikanët e liruar.

Marrëveshja bëri, po ashtu, që të kthehet në paraburgim në SHBA edhe Leonard Glenn Francis, pronari malajzian i një kompanie të anijeve, i cili është në qendër në njërin prej skandaleve më të mëdha të ryshfetit në historinë e Pentagonit.

Në tetor, Shtëpia e Bardhë i lehtësoi sanksionet ndaj industrisë së naftës së Venezuelës, pas premtimeve nga Maduro se do të mundësonte zgjedhje të lira dhe të drejta më 2024, kur do të kërkojë t’i fitojë edhe gjashtë vjet pushtet në sundimin e tij dekadash.

Afati i fundit skadoi më 30 nëntor dhe Maduro nuk e ka hequr një ndalesë e cila nuk e ka lejuar kundërshtaren e tij kryesore, Maria Corina Machado, të garojë në zgjedhje. /REL

Top Channel

Read Entire Article