SHBA-ja do të bojkotojë nderimet e OKB-së për liderin e vrarë iranian

3 months ago 42
Reklamë

SHBA-ja do të bojkotojë nderimet e OKB-së për presidentin e ndjerë iranian, Ebrahim Raisi, i cili u vra në fillim të këtij muaji në një aksident me helikopter, ka njoftuar një zyrtar amerikan.

Bëhet e ditur se Asambleja e Përgjithshme e OKB-së prej 193 anëtarësh takohet tradicionalisht për t’i bërë homazhe çdo lideri botëror që ka qenë kryetar shteti në momentin kur ka vdekur.

“Ne nuk do të marrim pjesë në këtë ngjarje në asnjë cilësi”, tha zyrtari amerikan në kushte anonimiteti.

Raisi i cili ishte parë si pasardhësi i mundshëm i Udhëheqësit Suprem Ayatollah Ali Khamenei, u vra kur helikopteri i tij u rrëzua në malet pranë kufirit me Azerbajxhanin, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Kombet e Bashkuara duhet të qëndrojnë me popullin e Iranit, e jo ta përkujtojnë shtypësin e tyre prej dekadash. Raisi ishte i përfshirë në abuzime të shumta të tmerrshme të të drejtave të njeriut”, tha zyrtari amerikan.

“Disa nga abuzimet më të këqija të të drejtave të njeriut në histori, veçanërisht kundër grave dhe vajzave të Iranit, ndodhën gjatë mandatit të tij”, shtoi ai.

Ndryshe, SHBA-ja ka shprehur “ngushëllime zyrtare” për vdekjen e Raisit, ka njoftuar Departamenti i Shtetit. /Telegrafi/

Read Entire Article