SHBA-ja rikthen furnizimet me armë për Ukrainën

10 months ago 36
22:32 20/11/2023

Sekretari i Mbrojtjes Austin vizitoi Kievin dhe garantoi vazhdimin e mbështetjes amerikane për Ukrainën

Shefi i Pentagonit mbërriti pa paralajmërim në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe njoftoi aty një pako ndihmash ushtarake me vlerë 100 milionë Dollarë. Duke premtuar mbështetje afatgjatë amerikane Austin njoftoi se pakoja e re përmban armë antitank, interceptues të mbrojtjes ajrore dhe një sistem shtesë rakete artilerie (HIMARS).

Vizita e tij siguroi udhëheqjen ukrainase se paratë dhe armët do të vazhdojnë të vijnë edhe pse burimet e SHBA-së dhe ato ndërkombëtare janë shpërndarë për shkak të rreziqeve të reja globale të sjella nga konflikti Izrael-Hamas.

“Ardhja juaj është një sinjal shumë i rëndësishëm për Ukrainën”, tha Presidenti ukrainas Zelenskyy. Gjatë takimit, sekretari Austin premtoi mbështetje të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën.

“Mesazhi që ju sjell sot zoti President, është se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me ju. Do të qëndrojmë me juve për një kohë të gjatë. Ajo që ndodh në Ukrainë, nuk ka rëndësi vetëm për Ukrainën, por ka rëndësi edhe për pjesën tjetër të botës,” i tha ai Presidentit Zelenskyy.

Pentagoni tha se sekretari Austin mbërriti në Kiev për të diskutuar planet afatshkurtra për dimrin, si dhe për të planifikuar ndihmën e ardhshme në fushën e sigurisë. “Ndër kapacitet më të rëndësishme për këtë dimër do të jetë mbrojtja ajrore”, u tha gazetarëve një zyrtar i dytë i lartë i mbrojtjes që shoqëron në këtë vizitë Sekretarin Austin.

Gjatë fundjavës pati një valë sulmesh me rreth 40 dronë të prodhimit iranian, që u lëshuan nga territori rus dhe goditën pozicionet e mbrojtjes ajrore ukrainase. Ukraina tha se forcat e saj shkatërruan 29 nga 38 dronët, por se dronët që arritën të depërtojnë, goditën disa objekte infrastrukturore dhe shkaktuan prerje të energjisë elektrike për mbi 400 qytete dhe fshatra në mbarë vendin.

Krahas mbrojtjes ajrore, zyrtarët shpresojnë t’ua mohojnë forcave ruse mundësinë e fortifikimit gjatë dimrit të pozicioneve të tyre. Javën e kaluar njësitë ukrainase i larguan ushtarët rusë nga pozicionet e tyre përgjatë bregut lindor të Lumit Dnipro dhe siguruan disa pozicione të fortifikuara.

Vizita e papritur në Kiev vjen gjithashtu pasi mbështetja perëndimore rrezikon të lëkundet, veçanërisht pasi ngjarjet në Izrael dhe Gazë po e largojnë vëmendjen nga konflikti i zgjatur në Europë.

Sekretari Austin do të drejtojë një tjetër takim virtual të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës nga Pentagoni këtë javë. Ngurrimi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për dërgimin e ndihmave të mëtejshme ushtarake në Ukrainë është rritur, megjithëse zyrtarë të lartë të mbrojtjes vënë ende në dukje “mbështetjen e qartë dypartiake”.

Klan News


Të ngjashme

Read Entire Article