Shtetet e Bashkuara kanë një plan për luftën në Ukrainë, i cili mbështetet në rezistencën e Kievit kundër Rusisë deri në vitin 2025, sipas një raporti të The New York Times.
Kjo strategji “mbahu dhe ndërto” mund t’i lejojë Ukrainës të rrisë aftësitë e saj të prodhimit vendas të armëve vitin e ardhshëm për të prodhuar më shumë dronë dhe raketa me rreze të gjatë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Me armë të mjaftueshme, disa në ushtrinë amerikane mendojnë se ushtria e Ukrainës mund ta sjellë Rusinë në tryezën e negociatave në fund të vitit 2024 ose në vitin 2025, thuhet në raport.
Financimi i SHBA-së për Ukrainën po mbaron, me rreth 4.4 miliardë dollarë të mbetur në mbështetje nga inventarët e Departamentit të Mbrojtjes, konfirmoi javën e kaluar Sekretari i Shtypit i Forcave Ajrore të Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder.
Administrata Biden do të paraqesë një paketë të fundit ndihme për Ukrainën para fundit të vitit, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, për Reuters.
“Kur kjo të ketë mbaruar… ne nuk do të kemi më autoritet ‘rimbushjeje’ në dispozicion dhe do të kemi nevojë që Kongresi të veprojë pa vonesë”, tha ai.
Në fillim të këtij muaji, presidenti Joe Biden u përpoq të ‘thyente’ një bllokim në Kongres me një paketë ndihme prej 111 miliardë dollarësh për Ukrainën dhe Izraelin, por dështoi pasi të gjithë senatorët republikanë dhe senatori Bernie Sanders nga Vermont e kundërshtuan atë, raportoi Reuters në atë kohë.
Ndërkohë, Ukraina ka ndërmarrë hapa për të rritur aftësitë e saj të prodhimit vendas duke intensifikuar prodhimin e saj të municioneve dhe dronëve dhe duke përdorur prodhuesit vendas sa herë që është e mundur, raportoi më parë Business Insider.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të kompensuar ndihmën e pakësuar të SHBA dhe BE-së.
Dhe analistët ushtarakë kanë paralajmëruar se nëse financimi amerikan mbaron, Ukraina do të humbasë kundër Rusisë. /Telegrafi/