Shkaktoi shumë zhurmë, komentohet takimi i Hisen Berishës me ambasadorin Berishaj – ja si qëndron e vërteta!

2 months ago 6
Reklamë

Një takim mes deputetit Hisen Berisha dhe ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj ka sjellur reagime të shumta në opinonin publik.

E së fundmi për këtë situatë reagoi edhe vet deputeti Berisha.

Këto kritika, ai i mori për shkak të një skandali financiar në Slloveni ku dyshohet se Berishaj është i përfshirë dhe për shkak të hetimeve dhe intervistimit që atij i bëri Prokuroria Speciale.

Deputeti Berisha ka thënë se takimi i tij me ambasadorin në Kroaci ka qenë për shkak se ai në një vend mik e përfaqëson Republikën e Kosovës dhe derisa ai e mban këtë post “do të vijojë të jetë edhe adresë e takimeve të tilla”.

“Përtej agjendës ditore politike, unë gjithnjë kam vepruar me logjikën shtetformuese të emancipimit politik dhe respektimit të institucioneve dhe ky takim ishte në kuadër të këtij kursi veprimi. Kjo për faktin e thjeshtë sepse z. Berishaj, nuk përfaqëson vetveten por Republikën e Kosovës në shtetin mik të Kroacisë. Ndërkohë, “patriotë” të vetëdeklaruar në studio televizive, në rrjete sociale vlonin duke predikuar për “mëkatin e madh” që kisha bërë duke kërkuar “kokën” time. Është e vërtetë se Ambasadori Berishaj ka qenë subjekt i hetimit prokurorial dhe hetimit parlamentar (edhe me gjykimin tim politik që mbetet i pandryshuar), por derisa do të shërbejë si ambasador në Zagreb, do të vijojë të jetë edhe adresë e takimeve të tilla dhe jo vetëm. Por çështja është se armata e rrahagjoksve e patriotëve të rrjeteve sociale u gëzua shumë sepse më në fund ju erdhi momenti i duhur që një komandant tjetër i radhës të kryqëzohet dhe të persekutohet”, ka shkruar Berisha.

Mirëpo a mund të ketë ndonjë prapavijë ky takim mes deputetit Berisha dhe ambasadorit Berishaj?

Gashi: Thjesht takime normale të njerzëve normal

Image

Tomë Gashi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi, njëherësh avokati që përfaqëson ambasadorin Berishaj.

Ai nuk sheh diçka të pa duhur në këtë takim, sipas tij nuk është hera e parë e as e fundit që takohet publikisht ambasadori Martin Berishaj me deputetin Berisha.

“Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha nuk është hera e parë e as e fundit që takohet publikisht më ambasadorin Martin Berishaj. Ai është intelektual i pashoq që secili e ka nder të takohet me të, asgjë nuk ka në këtë takim misterioz”, u shpreh ai.

Më tej, avokati thotë që ka qenë një takim normal dhe nuk ka vend për gjëra të tjera.

“Thjesht takime normale të njerzëve normal e që ata që nuk janë si ata i banalizojnë me spekulime koti. Përndryshe, Martini është klient i imi dhe asnjë krim se ka kry”, foli Gashi për “Bota sot”.

Duhanaj: Ky takim nuk do të duhej bërë as lajm, e jo me të supozohet për ndonjë konspiracion të llojit të vetë

Image

Leon Duhanaj

Nga ana tjetër për këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur analisti politik, Leon Duhanaj.

Analisti është i mendimit të njëjtë më të avokatit Gashi.

Sipas tij, të dy kanë një të kaluar të bujshme kombëtare, të cilën nuk mund t'ua mohoj, por as minimizojë askush.

“Për mendimin tim ky takim nuk do të duhej bërë as lajm, e jo me të supozohet për ndonjë konspiracion të llojit të vetë. Kur flasim për një takim të tillë, në radhë të parë duhet të kemi parasysh të kaluarën e mëhershme të personave në fjalë. Që të dy kanë një të kaluar të bujshme kombëtare, të cilën nuk mund t'ua mohoj, por as minimizojë askush. Pjesa e cila ka të bëj me angazhimet e pasluftës, është çështje që kur ka dyshime e akuza duhet të vërtetohen. Ambasadori Berisha, është akuzuar për skandalet në kuadër të Qeverisë Kurti dhe për ketë besoj është duke u hetuar. Drejtësia thotë, pa e marrë parasysh akuzën, një person mund të konsiderohet fajtorë vetëm atëherë kur gjykata mbi bazën e fakteve dhe provave, merr vendim të prerë, deri atëherë, i akuzuari konsiderohet i pafajshëm”, shpjegoi analisti.

Në fund, ai nënvizon që Berisha është përfaqësues zyrtar i shtetit dhe si i tillë përfaqëson shtetin.

“Në anën tjetër, ambasadori Berisha është përfaqësues zyrtar i shtetit dhe si i tillë, deputeti Berisha, i cili po ashtu është përfaqësues i lartë i shtetit, dhe takimi i tyre duhet të analizohet nga ky kontekst. Pse ka pasur akuza ato janë pjesë e punës parlamentare, përderisa pse ambasadori Berisha edhe pas këtyre akuzave akoma vazhdon të ushtrojë pozitën e ambasadorit, ketë duhet ta pyesni Kryeministrin Kurti, i cili me gjasë është boshti i të gjitha skandaleve dhe si i tillë, nuk guxon ta shkarkojë asnjërën nga hallkat e zinxhirit të tij korruptiv”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

Read Entire Article