Shqetësime për sulme të reja/ Ekspertët: Sulmi i 23 shtatorit mund të përsëritet – Kosova të nënshkruajë marrëveshje me këto shtete!  

10 months ago 9

I pari i NATO-s, Jens Stoltenberg, të hënën që kaloi ka qëndruar për vizitë në Kosovë.   

Ai u takua me presidenten Vjosa Osmani, e po ashtu edhe me kryeministrin Albin Kurti.  

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka informuar shefin e NATO-s në lidhje me kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës.  

Ajo ka thënë se nëse Serbia nuk ndëshkohet për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, do të inkurajohet për sulme të tjera.   

Osmani pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, nënvizoi se ka shqetësime nga institucionet e sigurisë së Kosovës se Serbia përmes strukturave ilegale dhe paramilitare po vazhdon të bëjë organizime të reja që mund të përsërisin sulme të tilla.  

“Shqetësimet ekzistojnë se mund të përsëriten sulmet e tilla. Të gjitha informatat që vijnë nga institucionet tona të sigurisë dëshmojnë se Serbia përmes këtyre strukturave ilegale paramilitare terroriste vazhdon të bëjë organizime të reja...Ne i ndajmë informatat që institucionet tona mbledhin me të gjithë aleatët dhe partnerët dhe natyrisht do të bashkëpunojmë që sulme të tilla të parandalohen në të ardhmen”, shtoi presidentja Osmani.  

Sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg, ka deklaruar pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, se sulmi i 24-shtatorit ishte një shenjë që konfliktet mund të rikthehen në Ballkanin Perëndimor. 

Meha: Rreziku për sulme në veri të Kosovës nga grupe të armatosura është i lart  

Image

Xhevat Meha

Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, në një përgjigje për “Bota sot” rendit disa nga arsyet pse ekziston rreziku për sulme të reja në veri, e që sipas tij, njëra ndër to është se Rusia në këtë mes ka motiv shtesë të krijoj fronte të reja për NATO-n.   

“Rreziku për sulme në veri të Kosovës nga grupe të armatosura është i lart, dhe kjo për disa arsye: 1) ka qenë dhe mbetet synim i Rusisë për destabilizim në Kosovë, 2) përpjekja e shtatorit te sivjetëm dështoi keq, 3) sulmuesit e shtatorit mbeten të paprekur nga institucionet e Serbisë, 4) Rusia ka motiv shtesë që të krijoj fronte tjera për NATO-në”, thotë ai.  

Sipas tij, mund të bëhet ndonjë tollovi dhe e gjitha kjo mund të shfrytëzohet nga rrjeti rus që të përmbys institucionet e tanishme në Serbi dhe t’i fusë ato në luftë me NATO-n.  

“Është me interes të merret parasysh se a mundet ushtria serbe të kyçet në ndonjë sulm të armatosur. Nuk është e përjashtuar një përfshirje e ushtrisë serbe. Vuçiq nuk besoj se është i interesuar për diçka të tillë. Mirëpo, rrjeti rus brenda institucioneve të Serbisë duhet të jetë shumë i mirë-organizuar dhe i fuqishëm. Kur rrjeti i strukturave të fshehta serbo-ruse në Kosovë kanë arritur që të futi nën kontroll institucione të Kosovës me gjithë praninë e të gjitha segmenteve të sigurisë së NATO-s, kontrolli ndaj institucioneve të Serbisë duhet të jetë i padiskutueshëm. Mund të organizohet ndonjë tollovi, dhe kjo të shfrytëzohet nga rrjeti rus që të përmbys institucionet e tanishme në Serbi dhe t'i futi institucionet e Serbisë në luftë me NATO-në”, deklaron ai.  

Shala: 24 shtatori 2023 mund të na ri-përsëritet!  

Image

Drizan Shala

Lidhur me këtë temë, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se aktualisht situata është e tensionuar.  

Shala sugjeron që Kosova të rris gatishmërinë e bashkërendimit me partnerët dhe që duhet të nisen hapat drejtë marrëveshjeve shtet me shtet për të ofruar siguri dhe mbrojtje të Kosovës.  

“Situata aktuale në sferën e sigurisë mund të konstatojmë që është e tensionuar si pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të nivelit politik mbi proceset e sigurisë tërësi por edhe veriut në veçanti.  

Kosova ka dëshmuar që është në gjendje të përballojë kërcënimet e tilla që kanë qëllim cenimin e sigurisë kombëtare nga formacionet ushtarake/inteligjente/kriminale nga jashtë.  

Por, që në aspektin e mbrojtjes ne do të duhet të rrisim gatishmërinë e bashkërendimit me partnerët tanë dhe të fillohen hapat e parë drejtë marrëveshjeve shtet me shtet për të ofruar siguri dhe mbrojtje Kosovës në rast invazionit eventual ushtarak të Serbisë”, shprehet ai.  

Ai me nënshkrimin e marrëveshjeve nënkupton, me vendet mike duke nisur nga Amerika, madje edhe me IDF e Izraelit për të ofruar ndihmën adekuate ushtarake, sepse sipas tij, 24 shtatori mund të ri-përsëritet.  

“Pra, Kosova duhet nënshkruar marrëveshje me Amerikën, Shqipërinë, Kroacinë, Hungarinë, Australinë dhe IDF e Izraelit për të ofruar ndihmën adekuate ushtarake.  

24 shtatori 2023 mund të na ri-përsëritet në rast se hynë shumë faktor relevant në veprim duke filluar nga ato gjeopolitik e gjeostrategjik që determinojnë veprime në himesferën e veriut respektivisht në Europë e Ballkan”, përmbyll ai.  

Read Entire Article