Shqipëria, në krah të Izraelit në OKB

11 months ago 36
19:48 24/10/2023

Hasani: Ëndrra e palestinezëve për vetëvendosje nuk realizohet nga Hamasi

Shqipëria konfirmon edhe një herë mbështetjen e plotë ndaj Izraelit, si një komb i sulmuar nga Hamas. Duke marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit për “Situatën në Lindjen e Mesme, përfshirë çështjen e Palestinës”, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani theksoi se Izraeli dhe populli i tij kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit të kombeve të lira, për t’iu përgjigjur terroristëve që kanë kryer krime të tmerrshme dhe vazhdojnë të vënë në pikëpyetje të drejtën e këtij shteti për të ekzistuar.

 “Ne besojmë plotësisht se ekziston një mënyrë për të garantuar sigurinë e Izraelit dhe mbrojtjen e civilëve të pafajshëm. Jetët e pafajshme janë njësoj të rëndësishme, qofshin ato izraelite apo palestineze. Është kjo arsyeja pse duhet marrë çdo masë paraprake për të mos dëmtuar ata që nuk e meritojnë, ata të cilëve jeta u është vënë në rrezik nga Hamasi dhe terroristët apo ekstremistët e tjerë”

Më tej, ai theksoi se qëllimi i Hamasit nuk është të mbrojë palestinezët dhe se veprimet e tij nuk i përfaqësojnë ata.

“Ka ardhur koha që të gjithë palestinezët të kuptojnë se e drejta e tyre për vetëvendosje, ëndrra e tyre për shtetësi, aspiratat e tyre për një jetë më të mirë, në siguri dhe dinjitet, nuk do të realizohen kurrë me Hamasin dhe të ngjashmit e tij. Palestinezët duhet të jenë të parët që kundërshtojnë aktet e tmerrit, të jenë kundër të papranueshmes dhe të pajustifikueshmes”.

Ministri i jashtëm shqiptar evidentoi gjithashtu se bota demokratike nuk duhet të qëndrojë indiferente përballë thirrjeve dhe sjelljeve që vijnë nga narrativa naziste dhe se nuk duhet të lejojë që ky konflikt të përhapet më tej.

“Duhet bërë gjithçka për të shmangur një përhapje të konfliktit që do të tensiononte të gjithë Lindjen e Mesme. Izraeli ka nevojë për siguri dhe meriton siguri; Palestinezët kanë nevojë dhe e meritojnë shtetin e tyre”.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm Antonio Gutterres dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, të cilët konfirmuan mbështetjen për Izraelin, ndërsa bënë thirrje për ndihmë humanitare.

Tv Klan








Të ngjashme

Read Entire Article