Shqipëria, në krah të Kosovës dhe kundër deklaratës së BE

11 months ago 12
Reklamë
15:35 27/09/2023

Rama: Presim qëndrim të ri. Grupi, i investuar për terror

Shqipëria del në krah të Kosovës pas situatës së krijuar në veriun e vendit me vrasjen e efektivit të policisë Afrim Bunjaku nga një grup paramilitar serb dhe për herë të parë nuk do të linjëzohet me qëndrimin e BE.

Kryeministri Rama gjatë vizitës që po zhvillon në Romë ka komentuar përpara mediave qëndrimin e qeverisë shqiptare për të mos mbështetur deklaratën e përfaqësuesit të lartë BE-së, Josep Borrel, të bërë në datën 19 Shtator, 5 ditë përpara ngjarjes, e cila deri këtë të mërkure do duhet të merret mbështetjen e të gjithë vendeve anëtare.

Kryeministri e shpjegoi refuzimin me faktin se në atë dokument nuk është reflektuar situata e krijuar pas vrasjes së efektivit të policisë së Kosovës, por flitet për detyrimet e Kosovës në raport me dialogun duke mos iu përgjigjur në këtë mënyrë realitetit të ditëve të fundit.

“Deri në momentin, kur nuk do të ketë një deklaratë të dytë të BE-së për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë. Nëse deklarata e dytë bën këtë që po them, dhe nëse ajo e bën këtë që kërkojmë nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë për të cilën kemi punë me Serbinë, ne nuk heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të BE-së dhe komunitetit euro-atlantik për Kosovën”.

Rama shpjegon dhe arsyet përse është domosdoshmëri një deklaratë e re nga BE, kur ka një grupim të armatosur që është investuar për të bërë terror në veriun e Kosovës e kur pikërisht për viktimat nga radhët e anëtarëve të këtij grupimi, Beogradi në mënyrë të pajustifikueshme ka shpallur ditë zie.

“Ka një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd. Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme, madje është e dënueshme”.

Kryeministri i bëri thirrje sërish komunitetit euroatlantik që të reagojë lidhur me këtë mesazh që po jep Serbia në këtë situatë.

Ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”.

Edhe shefi i diplomacisë italiane në krah të Kryeministrit Rama dënoi aktet e dhunës, siç i cilëson ai zhvillimet më të fundit në veriun e Kosovës dhe pohoi se në komunikim si me Kurtin ashtu dhe Vuçiç ka propozuar që të vlerësojnë hipotezën e një përforcimi të KFOR për të shmangur incidente të reja dhe viktima të reja. Antonio Tajani kërkon ndryshe nga Rama të mbështetet nga të dy palët deklarata e Borrelit si një mënyrë e mirë për të punuar për paqen dhe ndaluar çdo lloj aktiviteti ushtarak.

Tv Klan


Të ngjashme

Read Entire Article