Shqiptarët e Kosovës Lindore paralajmëruan protestë kundër Serbisë, vjen thirrja e hapur: Ky është sinjal se…!

1 month ago 13
Reklamë

Shqiptarët e Kosovës Lindore po vazhdojnë të diskriminohen nga qeveria serbe.

E për këtë, së fundi Këshilli Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës bëri thirrje për protesta gjithë-popullore, si kundërpërgjigje ndaj pasivizimit të adresave nga autoritetet serbe, një politikë që është përshkruar si diskriminuese dhe shpopulluese ndaj komunitetit shqiptar.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, përmes një postimi në Facebook, tha se ky proces ka sjellë pasoja të rënda për banorët e Luginës, duke u hequr atyre të drejtën e votës dhe duke i detyruar të largohen nga trojet e tyre.

“Diskriminimi i Serbisë ndaj komunitetit shqiptar ka arritur kufijtë e racizmit. Nuk ka mbetur asnjë familje shqiptare pa u prekur nga ky proces. Për këtë arsye, po përgatitemi për të organizuar një protestë paqësore, gjith-popullore, në të tri qytetet e Luginës,” u shpreh Lutfiu.

Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Jashtme e Gjermanisë shprehën shqetësimin e tyre për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se kjo praktikë bie në kundërshtim me obligimet e Serbisë për respektimin e të drejtave të pakicave.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, prej vitesh, kanë paralajmëruar për diskriminim nëpërmjet çaktivizimit të adresave – gjë të cilën përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë e kanë mohuar.

Deri tani, sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, janë pasivizuar rreth 6 mijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ndërkohë që regjistrimi i fundit i popullsisë në Serbi numëroi rreth 62 mijë shqiptarë në këtë zonë.

E për këto protesta të paralajmëruar nga shqiptarët dhe qasjen e qeverisë së Beogradit ndaj tyre, folën analistët politikë.

Hasani: Nga kjo protestë paqësore e paralajmëruar, pres që njëherë e përgjithmonw Prishtina dhe Tirana zyrtare të jenë edhe zëri kësaj krahine shqiptare

Image

Refik Hasani

E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli profesori nga Presheva, Refki Hasani.

Si fillim, ai u shpreh se shqiptarët që jetojnë në Serbi, janë duke jetuar në kushte të rënda, ku po i ekspozohen frikës, urrejtje, militarizmit…

“Protesta paqësore e paralajmëruar për t’u mbajtur në Preshevë, Medvegjë, apo në Bujanoc, është një shprehje e manifestimit, se ne shqiptarët në Serbi jetojmë në kushte pushtimi klasik, u jemi ekspozuar frikës, urrejtjes, militarizimit, nën tendenca të vazhdueshme për shpërngulje, asimilim e pastrim etnik.

Protesta paqësore e paralajmëruar, është një demonstrim se Serbia, vazhdon shkelje, cenim, mohim të së drejtës në përfaqësim proporcional me numrin e banorëve, aktualisht jemi si një ndër rajonet më të pazhvilluara dhe më të diskriminuara në gjithë Evropën, një trajtim që ka prekur kufijtë e segregacionit.

Protesta e paralajmëruar është një demonstrim se Serbia, vazhdon diskriminimin përmes pastrimit etnik-pasivizimit, zhvendosjes dhe dëbimit, diskriminimin në përdorimin e Gjuhës Shqipe, të simbolit kombëtar, në investime e përfaqësime”, u shpreh profesori.

Krahas kësaj, Hasani potencoi se shteti serb ka shtuara forcat e armatosura në vendbanimet ku ka shqiptarë, derisa komentoi tri pika kyçe.

“Protesta dëshmon se Serbia, jo që nuk e ka respektuar marrëveshjen e Konçulit, por i ka shtuar forcat e armatosura paramilitare, forcat e rregullta, forcat policore, grupet e civilëve të armatosur, paramilitarët, Gardën Kombëtare, Policinë kufitare, rezervistët ushtarakë, Policia Ushtarake dhe shërbimet e inteligjencës, kështu aktualisht pas 23 viteve kemi, si:

I. Prezenca e forcave serbe është shtuar nëpër vendbanimet shqiptare, të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, janë 48 minibaza në Zonën Tokësore të Sigurisë, kemi militarizim të lartë;

II. Amnistia e ish-ushtarëve të UÇPMB-së nuk është respektuar, sepse pas Marrëveshjes së Konçulit shumë ushtarë pas dorëzimit të armëve nënë mbikëqyrje, monitorimi e garantimin e ndërkombëtarë janë ballafaquar e përballur me ftesa të pranuara në biseda të shpeshta informative, janë keqtrajtuar, maltretuar dhe u janë ngritur e kurdisur skenarë për burgosje e arrestime;  

III. Policia multietnike nuk është instaluar në përpjesëtim të popullatës, e as në hierarkinë komanduese në policin multietnike.”

Më tej, profesori nga Presheva tha se pret që pas kësaj proteste, shqiptarët të gjejnë mbështetje nga BE.

Gjithashtu, kërkoi unitet nga faktori politik në Kosovën Lindore, ku tha se duhet të dalin me qëndrime dhe kërkesa të harmonizuara para ndërkombëtarëve dhe qeverisë serbe.

“Nga kjo protesta paqësore e paralajmëruar, pres që njëherë e përgjithmonë faktori politik në Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, gjithnjë të jenë dhe të paraqiten me kërkesa dhe qëndrim të unifikuara, të dalin sa më unik me kërkesa të harmonizuara dhe të artikuluara mirë, jo vetëm para Beogradit zyrtar por dhe para instancave e mekanizmave të BE-së dhe OKB-së.

Nga kjo protesta paqësore e paralajmëruar, pres që njëherë e përgjithmon që Prishtina dhe Tirana zyrtare, të jenë edhe zëri kësaj krahine shqiptare, të mbetur padrejtësisht nën sdministrimin e Serbisë.

Nga kjo protesta paqësore e paralajmëruar, pres që njëherë e përgjithmonë BE-ja, të ndalë mos trajtimin e duhur të kësaj krahine, dhe të duhej të mos mbështesin me dy standard, në këtë rast mbështesin pakicën serbe në Kosovë, por po harrojnë shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që në vitin 1992 kanë mbajtur dhe organizuar referendum”, nënvizoi Hasani.

Ndër të tjera, ai shtoi se kërkoi edhe mbështetjen e dy qeverive shqiptare, ku tha se duhet të kërkojnë të ndalet diskriminimi i shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Po ashtu, u tregua optimist se, BE do ndryshojë qasje dhe do shtojë prezencën dhe monitorimet në këtë pjesë të vendit.

Po, duhet të kenë mbështetje shqiptarët që jetojnë në Serbi edhe nga institucionet e Kosovës, dhe nga institucionet e Shqipërisë, është obligim moral, njerëzor, kombëtar e shtetëror, të dalin publikisht duke u deklaruar në ndaljen e diskriminimit në rritje në raport me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.

Kjo protesta paqësore e paralajmëruar për t’u mbajtur në Preshevë, Medvegjë, apo në Bujanoc, është një sinjal, është një alarm, dhe një mesazh paqeje edhe për BE-në, të vizitojnë e rrisin prezencën dhe monitorimin, duke garantuar të drejtat individuale dhe kolektive. Së paku, nga protesta paqësore e paralajmëruar kundër diskriminimit në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, pritet të ndërrohet diskursi i ndjekur nga BE-ja”, përfundoi Refki Hasani për “Bota sot”.

Duhanaj: Jam i bindur se nëse protestat do të jenë të organizuara mirë, do japin mesazhe të qarta

Image

Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj u shpreh se në rastet, si ky i trajtimit të shqiptarëve nga qeveria serbe, duhet trajtuar si diçka e jashtëzakonshme.

Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se kjo protestë është e mirëseardhur, madje pak e vonuar.

“Në raste kur kemi të bëjmë me një pushtet, i cili nuk ka qëllime të mira nuk ka as bashkëpunim, madje është edhe armiqësor, gjërat duhet trajtuar si të jashtëzakonshme.

Kur them të jashtëzakonshme, mendoj pikërisht për situatën në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku shqiptarëve sistematikisht u pasivizohen adresat, duke zhvilluar pastrim etnik klasik.

Ne tashmë e dimë se me Serbinë, nuk ka asnjë mundësi që përmes dialogut, të arrijmë në ndonjë pikë marrëveshje, përmes së cilës kishte me qenë e mundur bashkëjetesa normale.

Pra, duke pasur parasysh këtë realitet faktik, mendoj që  protestat janë më se me vend  dhe do thosha madje se jemi të vonuar paksa”, vlerësoi ai.

Krahas kësaj analisti, tha se në rast se protestat janë të organizuara mirë, do japin mesazhe të forta dhe të qarta.

“Protesta është mjet demokratik, përmes së cilit nëse arrihet të jetë masive dhe konsistente, mund të detyrohet, qoftë pala serbe, t'i respektojë shqiptarët si komb dhe marrëveshjet, si dhe t'i respektoj marrëveshjet.

Jam i bindur se nëse protestat do të jenë të organizuara mirë, do japin mesazhe të qarta.

Nëse protestat janë masive dhe të qëndrueshme, atëherë gjërat do të trajtohen më ndryshe dhe sigurisht që nuk do mungojë as angazhimi konkret, por edhe mbështetja ndërkombëtare”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Read Entire Article