Shtëpia e Bardhë: Operacioni i Izraelit në Rafah nuk i kalon vijat e kuqe të SHBA-së

3 months ago 6
Reklamë

SHBA nuk beson se Izraeli ka nisur një pushtim në shkallë të plotë të Rafahut në jug të Gazës, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Ai foli disa orë pasi forcat izraelite arritën në qendër të qytetit, dhe thuhet se kapën një kodër të rëndësishme strategjike me pamje nga kufiri i afërt me Egjiptin, transmeton Telegrafi.

Presidenti amerikan Joe Biden tha këtë muaj se do të kufizonte furnizimet me armë për Izraelin, nëse do të hynte në “qendrat e populluara me civilë” në Rafah, ku besohet se ende janë strehuar qindra mijëra civilë.

Kirby u pyet gjithashtu për një sulm izraelit dhe një zjarr që rezultoi me vdekjen e të paktën 45 palestinezëve – shumë prej tyre gra, fëmijë ose të moshuar – në një kamp për personat e zhvendosur të dielën.

Izraeli ka thënë se sulmi kishte në shënjestër dhe vrau dy zyrtarë të lartë të Hamasit, dhe se beson se zjarri mund të ishte shkaktuar nga një shpërthim në një dyqan armësh të Hamasit aty pranë.

Duke folur me gazetarët, Kirby i përshkroi imazhet nga pasojat e sulmit si “zemërthyese” dhe “të tmerrshme”.

“Nuk duhet të ketë asnjë jetë të pafajshme të humbur këtu si rezultat i këtij konflikti”, shtoi ai.

Kur zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë u pyet nëse sulmi kishte shkelur kufijtë e vendosur më parë nga presidenti Biden, ai tha se nuk kishte “asnjë ndryshim politikash për të folur”.

“Ne nuk mbështesim, nuk do të mbështesim një operacion të madh tokësor në Rafah. Presidenti tha se, nëse kjo ndodh, atëherë mund ta detyrojë atë të marrë vendime të ndryshme për sa i përket mbështetjes. Ne nuk e kemi parë këtë të ndodhë në këtë pikë. Ne nuk i kemi parë ata të përplasen në Rafah. Nuk i kemi parë ata të hyjnë me njësi të mëdha, një numër të madh trupash, në kolona dhe formacione në një lloj manovre të koordinuar kundër objektivave të shumtë në terren”, tha për fund Kirby. /Telegrafi/

Read Entire Article