Shtëpia u shkri nga bombat, 15 anëtarët e familjes Naji jetojnë mes rrënojave: Duam të vdesim këtu!

10 months ago 37
11:48 20/11/2023

Në ditën e tretë të konfliktit në Gaza, Siham Naji ishte ulur pranë bashkëshortit të saj Khaled në dhomën e ndenjes. Iu kujtua që duhet të merrte ilaçin për të dhe shkoi në kuzhinë. Hapi derën e frigoriferit për të marrë ujë, sekondin tjetër u gjend në “ferr”.

“Rashë në dysheme dhe ndjeva një gjë të nxehtë sipër meje”, shprehet 48 vjeçarja. Shtëpia ishte mbushur me tym të zi dhe dëgjoheshin vetëm sirena alarmi. Një bombë goditi shtëpinë ngjitur, duke shkatërruar plotësisht dhe të sajën. Ajo bërtiti duke kërkuar të shoqin, e teksa zvarritej me gjunjë, arriti të shkojë te dhoma e ndenjes, ku sytë e saj panë tmerr.

Khaled po nxirrte gjak nga goja dhe gjysma e trupit të tij kishte ngecur nën rrënoja. Djali i tyre ndodhej në dhomën e gjumit, krejtësisht i shokuar dhe në pamundësi për të lëvizur. Nënë e bir, ia dolën ta nxirrnin Khaled nga rrënojat dhe të dilnin nga shtëpia në atë moment.

Shtëpia e familjes Naji, ku jetonin 15 pjesëtarë ishte e mbushur me ngrohtësi e dashuri. Khaled e kishte ndërtuar të gjithën vetë ndër vite. Dy dhoma ndenjieje, 3 dhoma gjumi, një kuzhinë, një tualet gjigant dhe një apartament një kat më lart të cilin po e përfundonte për djalin e tij të sapomartuar.

51 vjeçari shprehet për mediat e huaja se të gjitha ëndrrat ishin brenda asaj shtëpie. “Ishte sikur jetoja në pallatin tim. Do ndërtoja ballkonin dhe kopshtin. Kisha në plan dhe një pishinë të vogël për fëmijët”, thotë ai.

I gjithë mundi i tij dhe i gruas, u shkatërrua në pak sekonda. Edhe pse kanë marrë informacione se një nga shtëpitë në lagjen e tyre do bombardohet, ata vendosën të kthehen në shtëpi. Edhe pse po jetojnë me rrënoja nëpër këmbë, ata thonë se nuk kanë asnjë opsion më të mirë.

“Nuk ka dyer apo dritare, po ku tjetër të shkonim?!”, shton Khaled.

Edhe nëse arrijnë t’u shpëtojnë bombave, për të ekziston frika se fëmijët mund të vdesin nga i ftohti apo ndonjë sëmundje. Megjithatë, Khaled preferon të vdesë në shtëpinë e tij, e jo në një tendë.

Sipas Ministrisë së Çështjeve Publike në Gaza, Izraeli ka bombarduar më shumë se gjysmën e shtëpive, saktësisht mbi 222 mijë.

Mes këtyre të fundit është dhe shtëpia e Khaled. Vajza e tij 15 vjeçare ka ende shpresë se një ditë, të gjithë bashkë do të mund të ulen në kopshtin e tyre dhe të pinë çaj, pa asnjë frikë.

/tvklan.al


Read Entire Article