“Shumë e çuditshme, çka nëse Faton Hajrizi është kapur gjallë pa ndodhur vrasja e policit serb”, ish- agjenti hedh dyshime të forta/ Ja me cilin rast fatkeq e krahason

1 month ago 6
Reklamë

Kanë kaluar disa ditë që nga vrasja e Faton Hajrizit, por dyshimet e deklarime të ndryshme për të nuk janë duke u ndalur.

Gjersa, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë të premten se personi i vrarë në Lloznicë të premten në mesditë është identifikuar si Faton Hajrizi, tashmë dyshimet janë që ai mund të mos jetë i njëjti.

Erkin Morina, një mik i Faton Hajrizit, ka thënë se dyshon që Faton Hajrizi është vrarë në Serbi të premten.

Morina tha sot se dyshimet e tij bazohen te fakti që institucionet shtetërore serbe ende nuk e kanë identifikuar viktimës dhe se ende nuk e kanë kthyer kufomën e tij në vendlindje.

“Ajo që më bën të dyshoj është që institucionet e sigurisë ende qe disa ditë nuk kanë arritur të identifikojnë kufomën. Unë i falënderoj institucionet e Kosovës që kanë bërë kërkesë që të identifikohet trupi dhe të kthehet në vendlindje trupi i Fatonit”, ka thënë Morina.

“Ajo që më bën të dyshoj se edhe pse kanë kaluar këto ditë, ende nuk është kryer identifikimi”, përsëriti ai.

Nga instituti për siguri besojnë se Hajrizi ka vdekur, por kanë dyshime tjera për rastin e tij.

Bedri Elezi, udhëheqës i një instituti që merret me çështje të sigurisë në Prishtinë, në një deklarim të hënën, ka thënë se janë dy dyshime që i ka për rastin e Faton Hajrizit, të vrarë nga pjesëtarët e Policisë së Serbisë të premten e javës së kaluar.

“Neve kemi disa dyshime. E para, nëse ai është vrarë apo vetëvrarë. E dyta, nëse ka pasur mundësi të arrihet arrestimi i tij e pastaj të vritet. Megjithatë, unë personalisht besoj fuqishëm se ai ka vdekur. Përndryshe, minimalisht do të kishim ndonjë kontakt të tij te më të dashurit e tij. Në fakt ne duhet t’i referohemi provave të cilat janë të pakontestueshme. Njëra nga provat është fotografimi zyrtar i institucioneve shtetërore. Sigurisht se për ta bërë të besuar të gjithë këtë rast, duhet të kishim minimalisht të dhëna, fotografi, të përcjella nga instituciuonet përkatëse në Serbi te Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi”, ka thënë Elezi.

Ndërsa, ish- agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka dhënë komentet e tij për rastin e Hajrizit.

Ai ka treguar çfarë ka ndikuar që Faton Hajrizi të ketë epilog tragjik, gjersa thotë se shteti serb po tenton atë ta barazojë me sulmin terrorist në Kosovë.

“Vrasja e policit serb dhe plagosja e tjetrit ndoshta është rastësi fatkeqe edhe për policët që kanë qenë në detyrë të tyre, por edhe për viktimën e mendjemadhin, naivin Faton Hajrizi. Ikja e Faton Hajrizit nga burgu i hapur dhe pastaj tentim i rremë edhe pa ikur për t’i dhënë një popullaritet të rremë atij të cilin e bënin edhe hero, pastaj edhe paraqitjet në rrjetin famëkeq kinez platforma degjeneruese Tik- tok, i kanë sjellë epilogun tragjik. Këtë rast tragjik tani shteti serb po tenton ta shfrytëzojë politikisht që ta barazojë me sulmin terrorist të terroristëve serb në krye me Milan Radoiçiqin, nënkryetarin e Listës Serbe në Kosovë në sulmin në Banjska ku u vra në prit një polic i yni dhe u plagosën disa të tjerë. Por, rastet dallojnë, kjo për shkak se Faton Hajrizi ishte një kriminel i vetëm, i dënuar nga gjykatat e Kosovës dhe i ikur nga burgu i Kosovës, kurse terroristët e Milan Radojçiqit ishin serb para ushtarak, të mbështetur politikisht, ushtarakisht dhe financiarisht nga Beogradi zyrtar, nga shteti serb”, thotë Miftari.

Sipas tij, edhe qëllimet mes sulmit në Banjskë dhe rastit të F.H. dallojnë.

“Edhe qëllimet dallojnë shumë, gjersa qëllimi i të ikurit nga burgu i F.H. ishte vetëm t’i ikte drejtësisë dhe të ikte përmes Serbisë, Bosnjës dhe Kroacisë e të shkonte në Gjermani te vëllai i tij, qëllimi i para militantëve serbë që ishin qindra, kishin armatim e logjistikë nga shteti serb ishte pushtimi i veriut të Kosovës dhe bashkangjitja e veriut të Kosovës me Serbinë, pra kishte qëllim ushtarak, politik, shtetëror serb”, thekson ish- agjenti i SHIK-ut.

Megjithatë, Miftari shpreh çudi për rastin e Hajrizit duke hedh pikëpyetje të ndryshme ku sipas tij, ai mund të ishte kapur i gjallë edhe pa u vrarë polici serb dhe mund të ishte sjellë i vrarë në atë vend.

“Rasti i Faton Hajrizit që nga fillimi dihej për një fund tragjik, por shumë e çuditshme tentim ikja e tij përmes Serbisë, pastaj vrasja dhe plagosja e policëve natën. Kjo më ngjan shumë me rastin fatkeq “Panda” në Pejë 1998/99 kur JSO, njësi speciale e UDB-së serbe vrau disa fëmijë të rinj serbë për të fajësuar UÇK-në dhe shqiptarët. Çka nëse Faton Hajrizi është kapur gjallë edhe më herët pa ndodhur rasti i vrasjes së policit serb, çka nëse ai është sjellë i vrarë në atë vend nga pushteti serb Vulin, Vuçiq për të bërë propaganda politike kundër Kosovës. Ka shumë pikëpyetje në këtë rast për të qenë rastësi, sidoqoftë ngushëllime familjes së të ndjerit, por edhe policit të vrarë serb”, përfundon Miftari.

Read Entire Article