“Shuplaka” e radhës nga BE - ‘Zbulohet’ pse u ndëshkua Kosova me vendimin e fundit për serbët

1 month ago 8
Reklamë

Qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë tashmë do t’iu hiqet regjimi i vizave.

Ky vendim është marrë në nivel të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Bashkimit Evropian në mbledhjen e fundit të këtij semestri.

Pasi të hyjë në fuqi - gjë që pritet të ndodhë në ditën e 20-të pas botimit në Gazetën Zyrtare të BE-së - vendimi do të fillojë të zbatohet në të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

Sot, Këshilli i BE-së miratoi një rregullore që siguron se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash, duke anuluar përjashtimin që aplikohej më herët për mbajtësit e pasaportave serbe, të lëshuara nga Drejtoria e Koordinimit e Serbisë”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Këtë vendim kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të padrejtë dhe të dëmshëm.

“E konsiderojmë të padrejtë, e konsiderojmë të dëmshme dhe gjithashtu dekurajuese për integrimin e serbëve. Sidoqoftë shteti i Kosovës, Republika jonë demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë te vendimet e Brukselit. Japim qëndrimin tonë dhe qëndrimi jonë nuk mund të jetë i ndryshëm. Ajo që ka thënë Presidenca e Ministria e Jashtme është qëndrimi i të gjitha institucioneve të Kosovës”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Ndërsa, nga Presidenca e Kosovës ky vendim është ligjërisht i pazbatueshëm.

Sipas tyre, legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë.

“Ky vendim i BE-së, ligjërisht është i pazbatueshëm në Kosovë, ndaj pasojat e tij nuk mund t’i marrë Kosova dhe institucionet e saj, sikurse as përgjegjësinë juridike dhe atë politike. Legjitimimi i këtyre pasaportave të jashtëligjshme nga BE-ja, saboton procesin e integrimit të komunitetit serb në Kosovë, e në veçanti në një periudhë kur një numër i madh i qytetarëve të etnisë serbe në Kosovë po pajiseshin me pasaporta të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën dhe për të gjithë qytetarët e saj. Për më tepër, këto dokumente që përmbajnë informacione të pa verifikuara, mund të barten nga persona që mund të cenojnë drejtpërdrejt rendin dhe sigurinë edhe në BE”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Edhe analistët politikë vendim i tillë është atak karshi Kosovës dhe sovranitetit të saj dhe me të BE i ka dhënë “shuplakë” Albin Kurtit kjo për shkak të mos formimit të asociacionit.

Xani: Atak ndaj Kosovës

Image

Visar Xani

Analisti Visar Xani thotë se janë disa veprime që në një mënyrë janë ilegale të serbëve, por janë legjitime për BE-në.

Sipas tij, është atak karshi Kosovës dhe sovranitetit të saj veprimet të tilla.

“Mendoj që Bashkimi Evropian në një mënyrë po i njeh serbët e Kosovës me të drejtat më të avansuara. Këto janë pra disa veprimet të cilat mund të themi që në një mënyrë janë veprime ilegale të serbëve, por janë legjitime për BE-në dhe një gjë e tillë është një atak karshi sovraniteti të Kosovës, kjo për shkak se nuk është më vetëm Republika e Kosovës që prodhon këto dokumeta, por njihen edhe pasaportat të tjera”, shprehet Xani.

Ai thotë se BE ka vendosur t’i priveligjojë serbët dhe kësisoj nuk sheh ndonjë ndërlidhje me çështjen e asociacionit.

Kjo ka të bëjë ekskluzivisht me previlegjin që në këtë rast faktori ndërkombëtar, apo Bashkimi Evropian  ka vendosur që të pranojë pasaportat serbe. Nuk besoj që ndërlidhet me çështjen e asociacionit, për shkak se në asnjë draft, apo në asnjë marrëveshje nuk parashihet që asociacioni të lëshojë pasaporta apo dokumente që mund të jenë legjitime, prandaj konsideroj se asociacioni është i ndarë nga hapi i marrë nga Bashkimi Evropian”, shton analisti. 

Procedurat për anulimin e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës me pasaporta serbe nisën në vazhdën e liberalizimit të vizave për Kosovën, nga 1 janari i këtij viti.

Me heqjen e vizave për qytetarët me pasaporta të Kosovës, qytetarët që posedonin vetëm dokumente të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë - e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme serbe në Beograd - mbetën të vetmit në rajon që u duheshin viza për të udhëtuar në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Komisioni Evropian propozoi heqjen e vizave për ta në nëntor të vitit të kaluar.

Parlamenti Evropian votoi për këtë çështje në prill të këtij viti.

Këto vendime nxitën reagime nga Qeveria e Kosovës.

Kosova nuk i njeh pasaportat në fjalë dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Elezaj: Ndëshkim për asociacionin

Image

Rexhep Elezaj

Ndërsa, analisti politik Rexhep Elezaj e konsideron vendimin e BE-së ndëshkim të radhës ndaj Kosovës.

Ai këtë vendim e ndërlidh me asociacionin.

“Vendimi i Këshillit të BE-së për heqjen e regjimit të vizave qytetarëve serb të Kosovës të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë, pa asnjë dilemë, është ndëshkimi i saj i radhës ndaj Kosovës, mbase si pasojë e mos-dëgjueshmërisë së qeverisë së Kosovës që ta zbatojë obligimin e marrë me Marrëveshjen e fundit të Brukselit-Plani franko-gjerman, 27 shkurt 2023, Pika 7 e saj, si dhe me Aneksin e Ohrit për zbatimin e saj (18 mars 2023), formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ngase qeveria e Kosovës refuzoi që Draft-Statutin e BE-së ta dërgojë në Gjykatën kushtetuese, akt ky i cili Kosovës i kushtoi me mos anëtarësimin e saj në KiE. Është kështu për faktin, sepse qeveria e Kosovës dhe kryeministri A. Kurti, vazhdimisht i kanë injoruar kërkesat dhe presionin e BE-së dhe SHBA-ve që ta implementojë pikën 7 të Marrëveshjes bazë të Brukselit, e pranuar nga vetë z. Kurti, i cili, madje në vazhdimësi ka kërkuar që të njëjtën marrëveshje është i gatshëm ta nënshkruaj, po qese pala serbe e bën të njëjtën gjë, derisa në anën tjetër i ka ikur formimit të AKS-së, duke i nervozuar zyrtarët e BE-së dhe SHBA-ve, me refuzimin e tij të heshtur të kërkesave të tyre, deri në vendosjen e masave ndaj Kosovës nga BE-ja, si dhe shpalljen e tij nga zyrtarët amerikan si një partner mos-bashkëpunues”, thekson Elezaj.

Heqja e vizave për serbët e Kosovës, është shuplaka e radhës e BE-së ndaj Albin Kurtit, thotë Elezaj, gjersa shton se ky akt nënkupton njohjen e autonomisë për serbët lokalë të veriut.

Kështu që, sipas mendimit tim, heqja e vizave për serbët e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, është shuplaka e radhës e BE-së ndaj qeverisë së A. Kurtit, duke e vu atë para aktit të kryer, se nëse ti po refuzon formimin e asociacionit të komunave për serbët lokal, atëherë ne, BE-ja, statusin e tyre të dyfishtë civil, nënshtetas të Serbisë, por me banim në Kosovë, e njohim si valid, duke ua hequr vizat, ani se nuk e kanë nënshtetësinë e Kosovës, gjë që në aspektin shtetëror-juridik ky akt nënkupton njohjen e autonomisë, “Self-Menagament”, për serbët lokalë në veriu të Kosovës, si “homo-duplex” të tyre, e që i bie shkëputje fizike të tyre nga nënshtetësia e Kosovës”, pohon analisti.

Aktin e BE-së, Elezaj e konsideron më të dëmshëm sesa asociacionin, gjersa shton se nuk ka më nevojë të integrohen serbët pasi statusi i tyre civil është barazuar me statusin e çdo qytetari të Serbisë.

Me këtë akt nga ana e Këshillit të BE-së, mendoj se sovraniteti i Kosovës ka marrë një goditje të rend substanciale, sepse komuniteti serb në veri të Kosovës nuk ka më nevojë të integrohet në shoqërinë kosovare, përderisa statusi i tyre civil është barazuar me statusin e çdo qytetari të Serbisë. Një pavarësi kjo e plotë e serbëve të Kosovës nga pushteti i Republikës së Kosovës, gjë që iu mundëson organizim të pavarur të jetës dhe institucioneve të tyre lokale të lidhura drejtpërdrejt me pushtetin dhe sistemin kushtetues të Serbisë. Mbase e gjithë kjo në vend të AKS-së, të cilin qeveria e Kosovës refuzoi ta formonte, e që shikuar juridikisht, ky akt është më i dëmshëm për Kosovën se sa asociacioni. Andaj, nga kjo rezulton i sakët konstatimi i analistëve politikë, se veriu i Kosovës me shumicë serbe nuk mund të integrohet në institucionet e saj me polici, veçse përmes një diskursi tjetër politik dhe strategjik, i cili ka munguar nga pala kosovare, siç dihet për shkaqe të njohura, gjegjësisht të frikës së formimit të një “Republika srpska” të dytë brenda Kosovës”, përfundon Elezaj.

Vendimi i BE-së për pasaportat serbe pritet t’i prekë rreth 18 mijë banorë serbë të Kosovës që i posedojnë këto dokumente, ndërsa është përshëndetur nga Serbia.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e ka cilësuar fitore të vogël këtë vendim.

“Një fitore e vogël, por e rëndësishme për të drejtat e njeriut të serbëve në 'Kosovë dhe Metohi'”, shkroi Gjuriq në platformën X.

Read Entire Article