Si u zvogëluan shanset për zgjedhje të parakohshme? Pushteti “sfidoi” opozitën me gatishmërinë e shfaqur

4 months ago 10

Kryetari i Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë të mërkurës ka thënë se marrëveshja për të shkuar në zgjedhje nuk mund të bëhet vetëm ndërmjet dy grupeve parlamentare. Sipas tij, gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje e kanë të kahershme, ndërsa sheh pak shanse që të shpërndahen Kuvendi.

“Vullneti ka qenë qysh para disa muajsh edhe mazhoranca gjithmonë ka shpreh gatishmëri dhe për këtë arsye subjekti më i madh opozitar qe është PDK është pajtuar, pra ka pasur një pajtueshmëri mes mazhornacës dhe opozitës. Por të gjithë e kemi kuptuar qe kjo nuk duhet të jetë marrëveshje vetëm mes dy grupeve, por më e gjerë dhe sa e di unë oferta iu është bërë të gjitha subjekteve opozitare, por ata (opozita) kanë propozuar një mënyrë tjetër, e unë sa e kam kuptuar këtë është që atyre iu duhet me shumë kohë dhe mendoj qe nuk duhet të paragjykohen subjektet qe kërkojnë me shume kohë për zgjedhje se kjo është e drejtë elementare njerëzore”, ka thënë ai.

Tutje, kryekuvendari Konjufca ka thënë se ditët e fundit janë zvogëluar shanset për shpërndarjen e Kuvendit.

“Por nëse nuk arrihet konsensusi i subjekteve qe jemi dukshëm mbi 80  sepse mund edhe të mos bëhet shpërndarja e Kuvendit, dhe vetëm mazhoranca me PDK do ishin në kufi të këtyre numrave, kjo është arsyeja pse kemi kërkuar një konsensus më të gjerë. Unë mendoj qe këto ditët e fundit goxha shumë janë zvogëluar shanset për shpërndarjen e Kuvendit”, ka deklaruar Konjufca.

Mirëpo, duke u nisur nga kjo deklaratë e Konjufcës rreth mundësisë së shpërbërjes së Kuvendit, në cilën situatë është aktualisht Kosova, afër zgjedhjeve, apo shumë larg këtij procesi?

Nga ana tjetër, Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi në konferencën për media të mërkurën ka theksuar se partia që ai drejton ishte e gatshme për zgjedhje të parakohshme, derisa përmendi datat që ata kishin propozuar, 30 qershorin ose 7 korrikun.

Ai tha se në ditën e fundit të mundësisë për shpërndarje të Kuvendit, kjo mundësi është ezauruar, pasi PDK-ja nuk gjeti mbështetjen e dy partive tjera opozitare LDK-së dhe AAK-së.

Shkodra: Kryeministri ka thënë që për të bërë shpërndarjen e Kuvendit, duhet të ketë një unitet të partive opozitare

Njohësja e çështjeve politike në vend, Magbule Shkodra, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se, deklarata e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në fakt është e saktë, pasi deri më tani, nuk ka dakordim të partive opozitare për shpërndarje të Kuvendit.

“E keni parasysh që PDK-ja është pajtuar për shpërndarje të Kuvendit, ndërkaq dy partitë tjera, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti. Në anën tjetër, kryeministri ka thënë që për të bërë shpërndarjen e Kuvendit, duhet të ketë një unitet të partive opozitare dhe një gjë e tillë nuk po ndodhë dhe të them të drejtën, si duket me këto parametra që I përmenda nuk do të ketë zgjedhje të reja në këtë kohë”, vlerëson ajo.

Image

Magbule Shkodra

Analistja Shkodra thotë se, zgjedhje të reja mund të jenë faktikisht prej shtatorit e tutje dhe ato më nuk mund të konsiderohen si zgjedhje të parakohshme, po zgjedhje të rregullta.

“Kështu që, derisa nuk ka dakordim të opozitës, që për mua është befasuese, pasi që të gjithë po thirren në atë që ka një të keqe të madhe, që po i ndodhë Kosovës nga kryeministri Kurti, unë do të pritja që këto parti opozitare të jenë unike në shpërbërjen e Kuvendit, pasi që kryeministri nuk do të jap dorëheqje.  Ndërsa, sa për atë që i faturohen të gjitha gabimet që janë bërë gjatë qeverisjes Kurti, duke e kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, unë mendoj se nëse janë të brengosur shumë, për atë të keqe që po i bëhet Kosovës, më rëndësi është të arrihet objektivi, t’i ndërpritet mandati kësaj qeverie, duke e shpërbërë Kuvendin dhe të fillohet me zgjedhje të reja”, vlerëson analistja Shkodra.

Mehmeti: Kurti do e përfundojë mandatin e plotë, derisa opozita shënoi edhe një humbje të rëndë

Po ashtu, për këtë ҫështje ka folur edhe analisti politik, Faton Mehmeti. Ai thotë se, deklarata e Konjufcës mund të lexohet si dështim i opozitës për të qenë të një fjalë për të dërguar vendin në zgjedhje.

“Pushteti ka sfiduar në vazhdimësi opozitën më gatishmëri për zgjedhje, derisa kjo e fundit s’ka qenë e gatshme për një gjë të tillë. Kështu që, duket se Kurti do e përfundojë mandatin e plotë, derisa opozita shënoi edhe një humbje të rëndë përballë pushtetit. Kjo opozitë nuk është e gatshme për zgjedhje as në kohën e rregullt e lëre më para kohe”, vlersëson ai.

Image

Faton Mehmeti

Mehmeti thotë se duke ditur këtë gjë pushteti po tallet me opozitën.

“Kjo e fundit është në rrugë pakrye, totalisht jashtë realitetit. Besoj se s’ka zgjedhje të parakohshme, edhe sikur të dështon Kurti, opozita nuk është e gatshme”, thotë analisti Faton Mehmeti për ‘Bota sot’.

Read Entire Article